E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbledhje e situatës pas motit të keq në pjesën më të madhe të vendit

Kukës/ Rrugët në disa zona të bllokuara nga dëbora

Reshjet e dëborës që po vazhdojnë prej dy ditësh në zonën verilindore të vendit kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në disa akse kombëtare si dhe kanë izoluar disa fshatra të thellë malorë. Të bllokuara, sipas drejtorit rajonal të mirëmbajtjes së rrugëve, Rushit Gashi janë akset nacionalë Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi dhe Krumë-Shkatin. Ai informoi se aksi rrugor Morin-Kukës-Qafë Shllak ështe i kalueshëm me zinxhirë dhe aktualisht për mbajtjen hapur të këtij aksi po punojnë 4 borëpastruese. I kalueshëm është edhe aksi Kukës-Krumë. Nga informacionet në prefekturë mësohet se trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit arrin në 35 cm, ndërsa në zonat mbi 600 m në 70 cm. Drejtori i policisë së qarkut të Kukësit, Muharrem Furiku thotë se janë përforcuar postoblloqet e policisë për të mos lejuar lëvizjen e mjeteve pa zinxhirë, kryesisht të mjeteve të tonazhit të rëndë që mund të bllokojnë rrugën. Dëbora ka izoluar disa fshatra të komunave Zabot, Topojanë, Shishtavec, Bushtricë, Grykë Çajë, Ujmisht, Arrëz dhe Kalis, me një popullsi prej rreth 35 mijë banore. Ndërmarrja e mirëmbajtje së rrugëve rurale po punon për hapjen e akseve që lidhin fshatrat me qendrat e komunave. Si pasojë e motit të keq, disa shtylla të tensioni të mesëm dhe të ulët janë rrëzuar, duke lënë pa energji 3 lagje të qytetit të Kukësit dhe një pjesë të komunave Tërthoraz dhe Bicaj. Sipas drejtorit të KESH-it, Ajdin Elezi po punohet për riparimin e defektit dhe energjia pritet të rikthehet brenda disa orësh. Në rrethin e Tropojës, reshjet e dëborës nuk kanë shkaktuar probleme të ndjeshme për banorët. Aktualisht Qafa e Malit është e hapur dhe mjetet mund të kalojnë me zinxhirë. Në qytetin e Bajram Currit, trashësia e dëborës arrin në 10 cm, ndërsa në zonat mbi 600 m  në mbi 40 cm. "Mbrëmjen e djeshme, një kamion doli nga rruga në aksin Fierzë-Qafë Mali, duke e bllokuar këtë aks për rreth 5 orë", njoftoi sot nënprefekti, Syl Smajlaj. Në rrethin e Tropojës, aktualisht rezulton e bllokuar vetëm komuna Lekbibaj.

Kavajë/ Dëmtohen plotësisht 7 banesa

Shtatë banesa në fshatin Bago të komunës Synej, 5 km në perëndim të qytetit të Kavajës, janë dëmtuar plotësisht si pasojë e rrëshqitjes së dherave për rreth 30- 40 m, e provokuar kjo nga tërmeti i dy ditëve më parë dhe reshjet intesive që kanë mbizotëruar në këtë zonë gjatë 24 orëve të fundit. Kryetari i komunës së Synejit, Përparim Çaça, tha se "shtatë familjet, me rreth 30 anëtarë gjithsej, janë strehuar tek shtëpi të tjera të fshatit dhe po ndihmohen nga autoritetet vendore".  Mësohet se edhe 7 familje të tjera janë evakuar nga banesat e tyre, pasi është konstatuar se ato janë në rrezik shembjeje. Fshati Bago numëron rreth 1500 banorë.

Vlorë/ Situata është drejt normalizimit

Situata e krijuar nga reshjet intensive të një ditë më parë në qarkun e Vlorës po shkon drejt normalizimit. Energjia elektrike, e ndërprerë në disa zona për shkak të defekteve të shumta, tashmë është rikthyer, ndërkohë që rrugët kombëtare dhe ato rurale janë të kalueshme. Situata është normalizuar edhe në rrugët dhe mjediset e tjera publike në qytetin e Vlorës, të përmbytura në ditë më parë, ku uji është larguar pothuajse plotësisht falë masave që u aplikuan  deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Nga raportimet e titullarëve të institucioneve vendore rezulton se nuk ka dëme të konsiderueshme materiale, megjithë gjendjen që u krijua si pasojë e reshjeve të shiut. Për rreth 12 orë, prej pasdites së të premtes, një pjesë e madhe e qytetit të Vlorës u mbulua nga ujërat, që në zona të caktuara arritën lartësinë prej 30-40 cm. Në disa segmente rrugore, duke përfshirë edhe bulevardin kryesor dhe hyrjen veriore të qytetit, qarkullimi i automjeteve u ndërpre për një kohë të konsiderueshme. Ndërkohë, moti i keq i shoqëruar me erë të fortë, shkaktoi defekte të shumta në sistemin e shpërndarjes, duke sjellë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në një pjese të qytetit dhe për rreth 60 minuta edhe në spitalin rajonal. Gjatë kësaj kohe u garantua furnizimi i pandërprerë me energji për hidrovorin, gjë që parandaloi keqësimin e mëtejshëm të situatës. Rreth orës 04.30 të mëngjesit të sotëm, energjia elektrike u rikthye në të gjithë territorin, ndërkohë që ndërprerja e reshjeve të shiut favorizoi efektivitetin e masave, që u ndoqën në vazhdimësi nga shtabi i emergjencës në prefekturë. Ndërkohë, për të parandaluar situata të ngjashme, nëse reshjet e shiut do të vazhdojnë, mëngjesin e sotëm, prefekti i qarkut të Vlorës, Hasan Halili zhvilloi një mbledhje të hapur të shtabit të emergjencave, ku u raportua gjendja aktuale dhe u përcaktuan masat e mëtejshme. Halili kërkoi nga përfaqësuesit e institucioneve vendore bashkërendimin e punës me synim normalizimin e plotë të situatës dhe parandalimin e ndonjë keqësimi të mundshëm të saj, në rast të rifillimit të reshjeve të shiut.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›