Shpërndahen në Lezhë 170 leje legalizimi për objektet informale

Rreth 170 objekte janë pajisur me leje legalizimi në qarkun e Lezhës, ndërsa 110 objekte janë regjistruar në Zyrën e Pasurive të Paluajtshme të këtij qarku. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/ Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) Shaban Memia, theksoi gjatë një takimi në këtë rajon se informaliteti është tumor që mban në agoni ekonominë dhe familjet shqiptare. "Qeveria me reformën e ndërmarë po e ndan përfundimisht Shqipërinë nga kjo agoni dhe po formalizon ekonominë", deklaroi Memia. Sipas tij, reforma është në hapat e saj përfundimtare dhe procesi po ecën me rritme të shpejta. Në qarkun e Lezhës janë deklaruar 10. 900 objekte informale, ndërsa janë kryer matjet në terren dhe është bërë azhornimi për 7600 objekte, nga të cilat 5400 janë me dokumentacion teknik të dixhitalizuar. Në këtë mënyrë ka përfunduar gjithë procedura ligjore. Në qarkun e Lezhës, janë të gatshme 1600 leje legalizimi, por personat përfitues mund t'i tërheqin ato pasi të kenë shlyer detyrimet për objektin, sipas ligjit. Ndësa për 640 objekte është përfunduar i gjithë procesi dhe po bëhet levrimi i lejeve.
...