I nderuar nga vlerësimi që i bëri librit tim Mediatori i Francës
I nderuar zoti Delavoye, Mediator i Republikës Franceze, e nderuar zonja Garrigo, presidenti e Amnesty France! I nderuar zoti Shamata, zv/ministër i Arsimit i Shqipërisë, i nderuar zoti ambasador Aliçkaj, të nderuar zonja e zotërinj pjesëmarrës!
Duke shprehur falenderimin më të thellë për zotin Delavoye, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për botuesin, zotin Favre, unë ju them se ky promovim është një vlerësim jo vetëm për librin, por është më së shumti një homazh për të gjithë shqiptarët që vuajtën diktaturën komuniste, është një vlerësim për dokumentin historik - nga më të mëdhenjtë - të shkeljes së të drejtave të njeriut në kohët moderne.
Ju zoti Mediator, nesër do të paraqitni raportin tuaj të veprimtarisë së institucionit tuaj të shquar përpara presidentit të republikës franceze, zotit Sarcozy. Natyrisht aty do të përfshihen të gjitha faktet e jetës franceze, në mbrojtje të të drejtave të njeriut në ditët e sotme, dhe shumë e shumë probleme të tjera që i mbulon institucioni juaj, por ju siguroj, zoti Mediator, se ky promovim që ju inicuat sot, është po kaq i rëndësishëm dhe ju jeni i vlerësuar shpirtërisht nga qindra e mijëra shqiptarë, të cilëve ju u dhatë rast tua bëni edhe njëherë të njohur ndërkombëtarisht dhimbjen.
Fati i librave është si fati i vajzave që bëhen gra. Mund të ndodhi që prej një rasti, rastësie ose domosdoshmërie të martesës së tyre të burojë më së fundi një jetë e tërë e mbarë, e lumtur, apo ndryshe... Në rastin konkret, ju i dhatë librit një rast dhe fat që të zhvillohet e të bëjë një udhë të suksesit në mes të lexuesit. Unë ndjehem i nderuar nga vlerësimi juaj dhe dekorata e lartë që më jepni, sepse ju dhe unë dhe të gjithë ne bëjmë punë për të tjerët, e cila është pika më e lartë e ndërgjegjes intelektuale e qytetërimit tonë dhe e qytetarit të botës së lirë.
Edhe njëherë shpreh falenderim dhe mirënjohje!
Përshëndetja e publicistit Balliu në ceremoninë e promovimit të publikimit “La femme du diable”