E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbyllet trajnimi për lidershipin e administratës publike. Ministrja Pirdeni: Të angazhuar për forcimin e vendimmarrjes institucionale

Këtë të premte (21 nëntor) është zhvilluar ceremonia përmbyllëse e Programit të Trajnimit Ekzekutiv për 83 drejtues pranë institucioneve qendrore publike.

E pranishme në aktivitet, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni nënvizoi se: “Ky program reflekton angazhimin që kemi ndërmarrë: të forcojmë lidershipin në administratën publike dhe vendimmarrjen institucionale, si dhe të ndërtojmë një administratë që funksionon me besim përballë pasigurisë një kërkesë thelbësore e procesit tonë të anëtarësimit në BE“.

Trajnimi ekzekutiv ka ndërthurur përvojën franceze dhe evropiane me sfidat e realitetit shqiptar. Në këtë kuadër, Ministrja Pirdeni u shpreh gjithashtu:

“Jemi vërtet të kënaqur që kemi thelluar bashkëpunimin me Francën gjatë dy viteve të fundit. Franca sjell një traditë të gjatë dhe të respektuar të ekselencës në lidership dhe profesionalizmit në shërbimin publik, dhe partneriteti ynë është shndërruar në diçka vërtet praktike, konkrete dhe me vlerë për reformat tona“, tha ajo.

Trajnimi 5-ditor është zhvilluar si pjesë e Programit të përbashkët midis Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) dhe Institutit Kombëtar Francez të Shërbimit Publik (INSP). 

Nëpërmjet sesioneve interaktive dhe trajnuese, programi synoi forcimin e Lidershipit Ligjor në Administratën Publike Shqiptare, dhe fuqizimin e kapaciteteve të drejtuesve në vendimmarrjen ligjore përballë konteksteve komplekse dhe të paqarta. 

Të pranishëm në aktivitet ishin Ambadadorja Franceze në Tiranë, Catherine Suard; Drejtoresha e Shkollës Rajonale të Administratës Publike, Maja Handjiska Trendafilova etj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›