E Hënë, 2 Nëntor 2026

Egnatia, Tetova premton të zgjidhë ngërçin

Në prag të ndeshjes të së shtunës kundër Bylisit, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, deklaron se skuadra ka punuar gjatë pauzës për të zgjidhur problemin e golave, pasi kampionët sulmojnë shumë, por shënojnë pak. Trajneri tha pushimi i ka bërë  mirë skuadrës së tij.

Egnatia do të presë Bylisin për javën e 12-të të Abissnet Superiore, me synimin për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Kampionët në fuqi u mundën nga Elbasani në javën e 11-të, megjithatë mes asaj humbjeje dhe ndeshjes së radhës qëndron pauza e kampionatit, për të cilën trajneri Edlir Tetova thotë se i ka bërë mirë skuadrës.

“Kjo ndërprerje ka sjellë përfitimet e veta, sepse çdo pushim shërben për mirë. Besoj se kna ka ndikuar mirë, sepse lojtarët e rinj mësohen më shumë me grupin”

Në 11 javë, Egnatia ka shënuar vetëm 10 gola, edhe pse sulmon e krijon. Tetova siguron se gjithçka do të zgjidhet, edhe pse shton se preferon më mirë të krijojë e të humbasë raste se sa të mos i afrohet portës.

“Kemi punuar shumë para portës. Çdo ushtrim e kemi lidhur me portën. Shqetësim është kur ekipi nuk shkon para portës, por dhe mungesa e golit është një ngërç që ne duhet ta zgjidhim”.

Pas ndeshejs me Bylisin, kalendari do të ngjishet. Tetova thotë se ai që tani bën shumë rotacion dhe skuadra do të jetë gati fizikisht për programin e ngjeshur.

“Kemi një grup lojtarësh që mund ta përballojnë shumë mirë dhe rotacionin. Siç e keni parë, kemi bërë rotacion në çdo ndeshje, sepse në vazhdim ndeshjet do të ngjeshën akoma më shumë dhe mendoj se jemi gati”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›