E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyten qindra hektarë në qarkun e Durrësit

Reshjet e shumta të shiut në fundjavë kanë krijuar probleme në disa zona rurale të qarkut të Durrësit. Qindra hektarë tokë në fshatrat kufitare mes rretheve Durrës e Krujë janë zaptuar nga ujërat, duke dëmtuar të gjitha kulturat e mbjella bujqësore. Burime nga Prefektura e Qarkut të Durrësit pohuan se situata paraqitet e vështirë në fshatrat Mallkuç, Murqinë dhe Mazhë të rrethit të Krujës, ku pjesa më e madhe e tokave është përmbytur nga ujërat e larta. Po dhe në disa fshatra të Durrësit, si Likmetaj e Gjurë situata paraqitet e rëndë. Raportohet se disa shtëpi kanë mbetur të izoluara si pasojë e sasisë së madhe të ujërave që janë mbledhur rreth e përqark tyre. Madje ato kanë vërshuar dhe brenda shtëpive, duke u shkaktuar dëme në banesa. Shkak i kësaj situate është bërë dalja nga shtrati i lumit Ishëm, si rezultat i prurjeve të mëdha. Më shumë se 600 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur nga uji, duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik për fermerët e banorët e këtyre fshatrave, të cilat i kishin mbjellë arat e tyre kryesisht me grurë dhe jonxhë. Përtej reshjeve të shumta, banorët e këtyre zonave fajësojnë si shkaktare të situatës edhe mosmirëmbajtjen e kanaleve të kullimit, që prej shumë kohësh janë lënë në harresë duke u shndërruar në vende ku depozitohen plehrat. Ndërkaq kritike është situata dhe për familjet e rrethuara nga uji, që shpresojnë në pushimin e reshjeve dhe tërheqjen e ujit për të vijuar aktivitetin normal, pas heqjes së llumrave dhe pasojave që u ka shkaktuar situata në të cilën gjenden. Ndërkaq parashikimet e kushteve atmosferike nuk duken fort optimiste, pasi premtojnë shira dhe në ditët e ardhshme, duke rënduar më tej gjendjen. Në prefekturën e Durrësit bënë të ditur se po vlerësohet gjendja dhe përcaktohet mënyra më e mirë për t‘u ardhur në ndihmë banorëve të këtyre fshatrave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›