Përmbytja e Maliqit, qeveria nis procesin e dëmshpërblimit
Qeveria merr masa për dëmshpërblimin e fermerëve të prekur nga përmbytjet në Fushën e Maliqit. Deputeti Edmond Spaho ka thënë nga Korça në një deklaratë për shtyp, se ka filluar verifikimi dhe vlerësimi i dëmeve në terren në tokat e përmbytura, ndërkohë që pas kësaj etape dhe identifikimit të dëmeve për çdo fermer do të nisë dëmshpërblimi monetar i secilit prej tyre. Bëhet fjalë për fermerët, të cilët janë dëmtuar në sipërfaqet e shfrytëzuara për mbjellje, që nga verifikimi i dëmeve sipas parcelave do të kompensohen nga ana e qeverisë me të njëjtat kritere si banorët e zonës së Shkodrës. “Ne kemi ndjekur me shumë kujdes situatën e krijuar nga përmbytjet në fushën e Maliqit, e cila është shkaktuar për dy arsye, nga prurjet e mëdha dhe nga dalja e lumit Devoll. Kjo përmbytje ka ardhur për shkaqe natyrore, si pasojë e sasisë së madhe të reshjeve dhe për shkaqe natyrore fusha e ndodhur në zonën e ish-kënetës ka rënë me 6 metra”, është shprehur deputeti demokrat, Edmond Spaho. Qeveria ka miratuar një fond për përshpejtimin e kullimit të sipërfaqeve që janë prekur nga përmbytjet dhe tharjen e tokave me një vlerë 1 milion dollarë që do të përdoren për thellimin e lumit Devoll dhe largimin e ujërave nga fusha. Spaho garantoi ngritjen e grupeve të verifikimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet dhe vlerësimin e tyre në parcelat e mbjella me kulturat bujqësore në sipërfaqet ku është bërë largimi i ujit.
Fermerët e zonës që përshin disa komuna dhe fshatra pritet të dëmshpërblehen pas vlerësimit që do t’u bëhet në bazë të shfrytëzimit të sipërfaqeve me të mbjella, pra me dëmet e shkaktuara në bujqësi. Për këtë situatë, drejtori i bujqësisë, Adrian Maho, ka deklaruar se komisionet do të vlerësojnë dëmin në bazë të verifikimit të tokave të përmbytura dhe të liruara nga uji. Ai ka thënë se duke iu referuar hartave kadastrale dhe duke bërë vlerësimin parcelë më parcelë në bazë të këtyre hartave, rezulton se nga 5000 hektarë sipërfaqe aktualisht 1900 hektarë vazhdojnë të jenë të përmbytura, ndërsa 800 të tjera janë liruar nga uji. Drejtori i bujqësisë në Korçë ka bërë të ditur se komuna më e prekur është ajo e Vreshtasit me një sipërfaqe prej 1600 ha të prekura nga përmbytjet, ndërkohë që pas kullimit të ujit do identifikohen dëmet në të mbjella dhe do kryhet kompensimi për çdo parcelë.
#