RENEA, operacioni i parë në publik
Operacioni për neutralizimin e Romeo Lekës nga forcat speciale RENEA ka qenë i pari për llojin e tij. Forcat speciale shqiptare nuk kishin kryer asnjë operacion tjetër të këtij lloji, me një shkallë rrezikshmërie shumë të lartë edhe për shkak të zonës së populluar. Megjithatë, operacioni ka dalë me sukses të plotë, duke mos u shënuar asnjë viktimë dhe është ndjekur me interes edhe nga grupe speciale të vendeve të tjera, që u kanë sjellë urimet përkatëse forcave speciale të policisë shqiptare. Siç dihet, dy ditë më parë është negociuar me pengmarrësin përreth 30 minuta dhe është synuar që të ruhej qetësia e tij, deri në organizimin e operacionit për kapjen dhe neutralizimin e tij. Gjatë kësaj kohe, forcat speciale kanë bërë planin e operacionit për neutralizimin e tij. Kështu, pasi është rrethuar zona, janë vendosur snajperë në pikat e larta, që ta kishin objektin nën kontroll për çdo veprim që mund të sillte pasoja të pengut, apo edhe të njerëzve të tjerë. Më pas është caktuar vendi ku do bëhet ndërhyrja dhe ai është “komanduar” pikërisht drejt vendit ku do të goditej. Në atë kohë, në bashkëpunim edhe me Gardën e Republikës, është kërkuar që nga ana e Presidencës mos të kishte njerëz, me qëllim që të shmangeshin dëme të tjera. Kur ai ka mbërritur në një vend të kontrolluar plotësisht nga forcat speciale, falë ndërhyrjes mjaft profesionale, u bë e mundur çlirimi i vajzës së rrëmbyer dhe arrestimi i autorit. Operacioni, i cili është ndjekur nëpërmjet mediave nga policitë e vendeve të tjera, është përgëzuar për ndërhyrjen e repartit RENEA.
#