Legalizimet brenda 2010, përfitojnë 200 mijë familje
Rreth 200 mijë familje do të marrin tapitë për pronat brenda këtij viti. Gjithsej kanë kaluar me vendim qeverie rreth 65 mijë dhe janë rreth 27 mijë të tjera në proces. Procesi është shumë intensiv, por të gjitha shifrat janë optimiste për të arritur në ato objektiva,
që të mbyllet procesi brenda vitit. Shifrat janë bërë publike nga Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike Sokol Olldashi menjëherë pas një takimi me përfaqësuan e Hipotekës dhe të ALUIZMIT. Ndërkohë që pjesa më e madhe e legalizimeve ka nisur pas urdhrit për dokumentin e tyre me anë të letrave me vlerë.
Legalizimet
Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike Sokol Olldashi tha dje se procesi i legalizimit të zonave informale do të mbyllet brenda vitit 2010. Olldashi zhvilloi një takim me drejtuesit e agjencive vendore në rrethe pas të cilit deklaroi se legalizimet do të përfundojnë brenda këtij viti ndërsa pritet të përfitojnë rreth 200 mijë familje.
Sipas kreut të ministrisë së Transporteve, aktualisht rreth 2 mijë persona kanë marrë tapitë nga Hipoteka pasi kanë përfituar legalizimin nga ALUIZNI. Pak kohë më parë, Parlamenti i hapi rrugë mundësisë së përdorimit të letrave me vlerë në procesin e legalizimit. Kemi rënë dakord që të verifikojmë ecurinë në terren të procesit për të qenë të sigurtë se çdo gjë ecën me ritmin e duhur. Shifrat janë optimiste dhe synojmë që procesi të përfundojë brenda fundit të vitit, u shpreh Olldashi. Këtë deklarate ministri e bëri gjatë një takim pune në Ministri me drejtorët Zyrave të Legalizimeve në të gjithë vendin si dhe kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ndërkohë në total janë 170 mijë parcela që janë prekur, janë kaluar me vendim qeverie rreth 65 mijë, janë rreth 27 mijë të tjera në proces. Procesi është shumë intensiv, por të gjitha shifrat janë optimiste për të arritur në ato objektiva, që të mbyllet procesi brenda vitit. Me përfundimin e procesit të legalizimit do të krijohet edhe fondi që qytetarët do të paguajnë për legalizimin e banesave, me të cilin më pas do të kompensohen ish-pronarët
Bonot
Ligjin parashikon krijimin e fondit të veçantë për vitin 2010 i cili do të përdoret për kthimin dhe kompensimin e pronës. ALUIZNI ka nisur aplikimet për personat që do të legalizojnë pronat e tyre me letra me vlerë pjesën për të cilën i lejohet shlyerja në këtë formë. Subjekteve që e kanë paguar tashmë tarifën e legalizimit, ALUIZNI merr përsipër rimbursimin e shumës së dhënë kundrejt paraqitjes së bonove të privatizimit, por me kushtin që subjektet paraprakisht të dërgojnë një kërkesë me shkrim. Kërkesa për rimburisimin e atyre që kanë paguar tashmë tarifën e legalizimit mund të plotësohet deri në mes të muajit qershor 2010. Pas ndryshimeve e bëra së fundmi në ligjin e legalizimeve qeveria ka rritur sipërfaqen e tokës që do të paguhet me letra me vlerë duke shtuar në këtë mënyrë edhe numrin e përfituesve. Kështu, për objektet që janë ndërtuar jashtë vijave të verdha dhe kanë zënë një sipërfaqe deri në 500 metër katror truall, ndërtuesi mund të paguajë deri në 70 për qind të tarifës me letra me vlerë. Ndërkohë, për sipërfaqe më të mëdha se 500 metër katror shlyerja e tarifës do të bëhet me para në dorë sipas çmimeve të tregut.
Zonat
Objektet e ndërtuara brenda vijave të verdha nisur edhe nga vlera më e madhe që ka toka në këto zona, ligjvënësi e ka zvogëluar sipërfaqen që mund të paguhet me letra me vlerë. Nëse ka ndërtuar një objekt brenda vijave të verdha duke zënë një hapësirë deri në 300 metër katror, pronari i saj mund të paguajë deri në 70 për qind të vlerës me bono privatizimi ndërsa pjesën tjetër me para në dorë. Ndërkohë për sipërfaqe mbi 300 metër katror, gjysma e tarifës mund të paguhet me bono privatizimi ndërsa gjysma tjetër me para në dorë bazuar mbi çmimin e tregut. ALUIZNI ka përjashtuar nga pagesa me letra me vlerë tarifat e legalizimit për objektet pa lejë që janë ndërtuar me qëllim social-ekonomik në zona brenda vijës së verdhë. Pronarët kanë kërkuar rritjen e fondit të përvitshëm në buxhetin e shtetit për kompensimin e pronarëve me arsyetimin se nëse vazhdohet me këto ritme për dëmshpërblimin e plotë të tyre do të duheshin shekuj të tërë. Ndërkohë, rritja e sipërfaqes së parcelës që paguhet me letra me vlerë pritet të stimulojë ndërtuesit e objekteve që të shlyejnë tarifën duke mbledhur sa më shumë të ardhura në arkën e shtetit.
Jashtë vijës së verdhë
Deri në 500 m² 70 % me letra me vlerë
Mbi 500 m² Me çmimin e tregut
Brenda vijës së verdhë
Deri në 300 m² 70 % me letra me vlerë
Mbi 300 m² 50 % me letra me vlerë
Procedurat dhe afatet
Ligji për privatizimin me bono ka edhe 3 muaj të tjerë afat. . Qytetarët duhet të paraqiten pranë zyrave të Agjencisë së Legalizimeve për të bërë një kërkesë me shkrim ku të deklarojnë se dëshirojnë të paguajnë me bono privatizimi. Këto subjekte, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të bonove të privatizimit, kanë të drejtë që brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, nr. 10219 Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar, të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t, thuhet në njoftimin zyrtar të agjencisë së legalizimeve. Më tej në këtë njoftim thuhet se poseduesit e objekteve informale, sipas përcaktimeve në ligjin nr. 10219, datë 4.2.2010 Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar, mund të paraqesin kërkesat pranë drejtorive rajonale të ALUIZNI-t, me hyrjen e në fuqi të tij, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi. Të gjithë të tjerët që kanë bërë pagesën me lekë në dorë dhe dua që të paguajnë me bono, qeveria do ti rimbursojë ata dhe për këtë pritet një vendim i posaçëm nga Këshilli i Ministrave. Kërkesa me shkrim nuk kufizon afate për përdorimin e letrave me vlerë, pasi pagesa me bono mund të bëhet në çdo moment, por brenda 3 muajve duhet të bëhet një kërkesë në agjencinë lokale të ALUIZNI-t, ku të deklarohet se do paguash me bono privatizimi. Pagesa me bono Parlamenti miratoi në datën 4 shkurt ligjin nr. 10219 Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar. Ky ligj parashikon si formë alternative pagese, për parcelën ndërtimore të objektit informal, bonot e privatizimit, krahas pagesës në lekë, në vlerë të plotë monetare. Poseduesit e objekteve informale me funksion banimi apo të përzier, të kualifikuara për legalizim, me hyrjen në fuqi të ligjit, kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë, për pagesën e parcelës ndërtimore me bono privatizimi, sipas përcaktimeve të nenit 1 dhe 2 të ligjit nr. 10219. Bëjnë përjashtim nga ky rregull, objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni dhe shtesat informale në objekte me leje.
Ornela Manjani