Përmbytja i lë pa strehë, qindra familje të evakuuara

Reshjet e dendura të shiut që prej tre ditësh kanë krijuar një situatë alarmante në shumë qytete të Shqipërisë. Sipërfaqe të tëra në qytetet e Shkodrës, Vlorës, Fierit, Elbasanit, Durrësit dhe Krujës kanë qenë të mbuluara nga uji.
Shkodër, 120 familje të evakuuara
Ditën e djeshme janë raportuar 4900 hektarë tokë të përmbytura dhe qindra hektarë tokë nën ujë. Sipas të dhënave të Shtabit të Emergjencave, raportohen rreth 120 familje të evakuuara në Shkodër. Reshjet e lumenjve Kir, Buna, Drin dhe Gjadër kanë rënduar gjendjen, e cila për banorët që përballen për të disatën herë me këtë situatë, konsiderohet e dalë jashtë kontrollit. Aktualisht, pas bllokimit të dy netëve më parë, rruga Shkodër-Lezhë është e kalueshme. Në bashkinë Shkodër raportohet të jenë përmbytur 200 ha tokë në Bahçallëk, Ajasëm, lagjen "Mark Lulaj" dhe "Pedonale", duke çuar në izolimin e rreth 60 shtëpive të banimit apo dhe objekteve. Në komunën Ana Malit janë përmbytur rreth 1800 ha, duke izoluar rreth 161 shtëpi në fshatin Obot, 19 shtëpi në fshatin Gorricë dhe 11 shtëpi në Muriqan. Në komunën Guri i Zi janë 800 ha tokë të përmbytura, 20 shtëpi të izoluara në fshatin Rrenc, 20 shtëpi në fshatin Kasapë. Në komunën Bërdicë janë përmbytur 500 ha tokë dhe 55 shtëpi janë izoluar. Janë evakuuar 20 familje në Ajasëm, 55 familje në Bërdicë, 20 familje në Bahçallëk dhe 45 familje në Kuq. Disa familje janë akomoduar në konviktin e shkollës Industriale, ndërsa disa të tjera tek të afërmit. Kjo situatë ka qenë e befasishme për banorët e Shkodrës, pasi u njoftuan se shkarkimet nga hidrocentralet ishin të kontrolluara, por që në fakt përmbytjet nuk u shmangën.
Vlorë, 300 shtëpi në rrezik
Një situatë e tillë, ndoshta më pak e rënduar, paraqitet në qarkun e Vlorës. 10 shtëpi janë përmbytur nga dalja e lumit Vjosë, në fshatin Fitore. Nga vërshimi i ujërave rreth 300 shtëpi të tjera janë në rrezik. Gjatë mesditës së djeshme prurjet e lumit Vjosa janë pakësuar dhe niveli i ujit tek Ura e Mifolit ka arritur në 6 metër, nga 7 që është pika kritike. Reshjet janë drejt pakësimit dhe situate drejt përmirësimit. Vetëm pak kilometra larg urës së Mifolit në vendin e quajtur Grykë Pishë, digë mbrojtëse e lumit ka pësuar një çarje dhe për pasojë janë përmbytur rreth 130 ha tokë djerrë. Deri ditën e djeshme janë evakuuar 30 familje të fshatrave të bregut të lumit Vjosë (fshati Fitore, Novoselë, Zhurë dhe Grykë Pishë), si edhe tre familje që ndodhen pranë urës së Mifolit. Në Qarkun e Fierit mjaft problematike është gjendja në lumin Seman, pasi prurjet tek ura e Mbrostarit janë në kuota maksimale. Përmbytje janë regjistruar edhe në Mallakastër, në komunat Hekal, Kutë, Frakull dhe Cakran. Ndërsa në komunën Levan të Fierit janë prekur nga uji rreth 38 familje, por pa shkaktuar përmbytje, pasi niveli i lumit Vjosë është drejt përmirësimit.
Bllokime rrugësh dhe dëme
Situata në Qarkun e Durrësit, sipas autoriteteve të prefekturës, raportohet drejt normalizimit. Gjatë ditës së djeshme janë evakuuar rreth 20 familje në fshatin Katund i Ri në komunën Sukth. Po ashtu edhe në Qarkun e Lezhës situata po shkon drejt përmirësimit. Edhe pse niveli i ujërave në basenët e hidrovorëve është në kuota të larta. Në qarkun e Elbasanit problem mbetet bllokimi i aksit rrugor Cërik – Banjë – Gramsh, bllokuar si pasojë e prurjeve te materialeve inerte të lumit Devoll. Në qarkun e Korçës janë evidentuar disa nga dëmet e krijuara nga reshjet e dendura të shiut. Bordi i Kullimit ka konstatuar se në tokat bujqësore të komunave Pirg dhe Libonik janë rreth 70 hektarë tokë të mbuluara nga uji. Ditën e djeshme ka patur reshje të dobëta shiu dhe bore në lartësi mbi 1000 metër, por qarkullimi rrugor në rrugët nacionale dhe rurale është normalizuar./Indeksonline/