E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytja nis të lëshojë Shkodrën, por e mbërthen i ftohti



Ervin KOÇI

Sapo ka nisur që të bjerë niveli i ujërave, Shkodrën dhe të gjitha zonat e përmbytura rreth saj i ka mbërthyer i ftohti i acartë i dhjetorit. Ulja e ndjeshme e temperaturave ka vështirësuar jetesën e mijëra familjeve në zonën e Nën-Shkodrës, të cilët pas përmbytjeve kanë mbetur jashtë shtëpive dhe në mëshirë të fatit. Në 8 komuna të përmbytura situata po rëndohet për ata banorë që kanë qëndruar në shtëpitë e përmbytura, me prezencë uji apo të rrethuara nga uji për shkak të pamundësisë që ata kanë për t’u ngrohur. Ujërat kanë shkatërruar rezervat drusore ndërsa energjia elektrike mungon. Gjatë ditëve të përmbytjes në këtë zonë nuk ka pasur furnizim me gaz apo lëndë të tjera të djegshme për të siguruar ngrohjen. Në situatë të vështirë janë edhe familjet e përmbytura në zonën e qytetit. Ende shumë lagje janë nën ujë ndërsa temperaturat ranë ndjeshëm. Sipërfaqja e përmbytur nga zbritur në 11.800 hektarë tokë dhe janë 4666 shtëpi të përmbytura. Në qytet vijon skema e re e shpërndarjes së ndihmave nëpër shkolla. Kryefamiljarët marrin ushqimet dhe ndihmat me listë duke paraqitur një dokument identifikimi. Ndihmat janë kryesisht në ushqime, bukë, vaj, oriz, sheqer dhe produkte të tjera ushqimore.

Bie niveli i ujit
Rreth 11.000 ha toka janë nën ujë në Shkodrën e përmbytur, por sipërfaqja po vjen duke u tkurrur gjithashtu edhe gjendja duke u përmirësuar .Shtabi i Emergjencës konfirmon se situata ka vazhduar të përmirësohet gjatë natës dhe në mëngjes sidomos në lagjen “Xhabije”, në hyrje të qytetit të Shkodrës. Ditën e djeshme në Shkodër kishte një rënie të temperaturave ndërsa reshjet e shiut pushuan. Megjithatë lëvizja me varka për disa lagje në brendësi është e domosdoshme, sikurse në hyrje të qytetit, ku uji mbetet në një nivele të larta . Një pjesë e mirë e banorëve në lagjet e qytetit që u prekën nga përmbytjet janë rikthyer dhe vazhdojnë të kthehen në banesat e tyre. Megjithatë mbeten të përmbytura 3600 shtëpi banimi. Në lagjen “Xhabie” niveli i ujit është ulur me rreth 20 cm në lagjen “Tophanë” dhe “Kiras” me rreth 10 cm. Aksi rrugor Xhabie-Ura e Bunës vazhdon të jetë i përmbytur nga uji dhe është i kalueshëm vetëm nga mjetet larta .Në Komunën Ana e Malit,është shënuar një rënie me rreth 20 cm. Edhe pse është shënuar rënie e nivelit të ujit situate mbetet e vështirë në Obot, Goricë, Bushat dhe Guri i Zi ku përmbytja ka qenë e madhe dhe duhen ditë për tu tërhequr uji tërësisht. Ndërsa niveli i ujit në liqenin e Shkodrës është ulur ndjeshëm çka do të bëjë të mundur tërheqjen më të shpejtë të ujërave. Paralelisht me përmirësimin e situatës vijojnë pa ndërprerje edhe operacionet e shpërndarjes së ndihmave ushqimore në zonat e thella të përmbytura, për banorët dhe gjënë e gjallë. Sipas Shtabit të Emergjencës edhe pse ujërat janë tërhequr në disa vende, ende 4660 banesa janë të përmbytura, 3493 janë me prezencë uji dhe 14210 persona janë evakuuar duke braktisur shtëpitë e përmbytura. Niveli liqenit të Shkodrës ka shkuar në 9.71 metra ndërsa niveli lumit Drin te Ura e Bahçallëkut është 9.42 metra.

Dëmtohet argjinatura e Torovicës, autoritetet japin alarmin

Argjinatura e Torovicës është rrezikuar seriozisht mbrëmjen e djeshme pasi moti i keq dhe me shumë erë ka provokuar dallgë të larta deri në 2 metra, të cilat mund të kishin sjellë edhe çarjen e kësaj argjinature. Në ditët e para të përmbytjeve në veri, kjo argjinaturë është përforcuar madje është ngritur me mbi 2 metra më shumë se ajo ekzistuese. Në mesin e saj ajo është dëmtuar në një gjatësi prej 500 metrash në vende të ndryshme madje duke u ngushtuar nga 6 në 3 metra. Erozioni ka rrezikuar edhe jetën e efektivave të policisë të cilët kanë qenë në gatishmëri për monitorimin e situatës. Ka qenë ora 23:00 e ditës së djeshme dhe policia ka lajmëruar menjëherë Shtabin e Emergjencës, si dhe firmat private të makinerive të rënda për të ndërhyrë në përforcimin e pjesëve të dëmtuara. Aksioni për të riparuar pjesët e dëmtuara në argjinaturën e Torovizcës vazhdon ende. Rreziku konsiderohet ende i pranishëm pasi nuk dihet se si do të shkojnë edhe kushtet atmosferike në ditët të vazhdim. Gjatësia e saj arrin deri në 1.4 kilometra dhe kjo shërben edhe si kufiri ndarës mes Lezhës dhe Shkodrës. Ajo është edhe mbrojtësja kryesore e tokave të Lezhës nga përmbytja. Që prej fillimit të përmbytjeve e deri tani në këtë argjinaturë janë hedhur 13 mijë m3 inerte. Në paraditen e sotme kjo argjinaturë është inspektuar nga ekspertët e digave të cilët po shohin mundësinë e një ndërhyrjeje të specializuar në mënyrë që të evitohet rreziku i çarjes së saj.

Meta: “Solidariteti i treguar na prek të gjithëve”

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta në një takim të mbajtur ditën e sotme me Komunitetin e biznesit ka shprehur falënderimet për sa i takon masave emergjente të ndërmarra për zonën veriore e cila ndodhet në një vështirësi pas përmbytjeve të cilat kanë pllakosur vendin. Meta ka kërkuar që këtë fatkeqësi natyrore ta përballojnë me guxim banorët e njëkohësisht duke qenë në të njëjtin linjë ka falënderuar biznesin shqiptar për ndihmat. “Solidariteti i treguar na prek të gjithëve. Ndihmat janë një tregues i humanitetit”,- tha Meta.

Shkurt/////////////////////////////////
Kukës, bien reshjet e para të dëborës

I gjithë Qarku i Kukësit gjatë 24 orëve të fundit është shoqëruar nga temperatura shumë të ulëta të cilat kanë sjellë edhe dëborën e parë. Një situatë e tillë ka shkaktuar edhe disa probleme të cilat kanë të bëjnë me furnizimin me energji elektrike, infrastrukturën rrugore, si dhe furnizimin e popullatës me ujë të pijshëm. Sipas informacioneve të mbledhura nga zonat e thella, mësohet se pa energji elektrike janë disa komuna si Zapodi, Bushtrica, Kalisi, Topojani, Grykë Çaja, Ujmishti, Shishtaveci, Gjinaj, Fajza, si dhe dhjetëra fshatra të tjerë të rrethit të Hasit dhe të Tropojës. Kjo ka ardhur pas dëmtimit të një shtylle të tensionit të lartë e cila furnizon me drita zonat respektive. Sa i takon infrastrukturës rrugore,situata paraqitet më problematike në zonat e thella ku trashësia e dëborës nuk është shumë e madhe por temperaturat e ulëta kanë bërë që reshjet e rëna të ngrijnë dhe rrugët të bëhen të kalueshme vetëm me zinxhirë. Të bllokuara totalisht janë komunat Arrën dhe Surroj, si dhe dhjetëra fshatra të komunave të Zapodit, Kalisit, Grykës së Çajës, Topojanit dhe Shishtavecit. Ndërsa, sa i takon furnizimit me ujë të pijshëm nëpër disa banesa të qytetit apo edhe fshatrave uji nuk ka mbërritur në çezmat e konsumatorëve pasi kanë ngrirë tubacionet që e përcjellin atë. Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë nisur që mbrëmjen e kaluar kur një stuhi përshkoi qarkun veri-lindorë.

Përmbytjet në Fushë Krujë, ndërhyet në shtratin e lumit Zezë

Pas përmbytjeve të pak ditëve më parë nga lumi Zezë në Fushë Krujë kanë nisur masat paraprake për të ndaluar përsëritjen e së njëjtës gjendje. Mjetet e punës kanë nisur zgjerimin dhe thellimin e shtratit të lumit në gjatësinë ku ai kalon përmes qytetit. Punimet nisën sot dhe pritet të zgjasin rreth një javë. Ndërkohë parashikohet një projekt më i detajuar për të zgjeruar dhe thelluar përfundimisht shtratin e këtij lumi që është bërë shkak për përmbytje të herëpashershme. Vetëm një javë më parë rreth 900 shtëpi pësuan dëmtime si pasojë e vërshimit të lumit, ndërsa qindra hektarë tokë u mbuluan nga uji. Me projektin finalizues prej rreth 7 milionë eurosh parashikohet të disiplinohet shtrati i lumit Zezë dhe t’i jepet fund përmbytjeve.

11 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›