RENEA prangos të fortin e Laçit, kërkohej nga Spanja dhe Italia
LEZHË – Astrit Bushi, i njohur për rrezikshmëri të lartë dhe i kërkuar nga dy shtete evropiane, Italia dhe Spanja, është arrestuar ndonëse ka kundërshtuar prangosjen dhe është konfrontuar me forcat e rendit, duke tentuar që të largohet. Pas hetimeve dhe mbajtjes nën vëzhgim të 32-vjeçarit, banues në Laç, është organizuar operacioni i koduar me emrin “Arbusto 2”, i cili ka përfunduar me arrestimin e të shumëkërkuarit. Policia e Shtetit bëri të ditur të shtunën pasdite se në momentin e arrestimit të këtij shtetasi, i është gjetur dhe bllokuar një armë zjarri pistoletë, tip “Bereta”. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në qytetin e Laçit, është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme fishekësh.
“Shtetasi Astrit Bushi ka kundërshtuar me dhunë forcat e policisë, duke goditur me mjetin e tij 2 automjetet e forcave RENEA dhe rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të policisë”, - thonë burimet zyrtare të policisë. Ndaj Astrit Bushit ka pasur një kërkesë për ekstradim nga autoritetet spanjolle, për veprën penale të “vjedhjes me dhunë“ të kryer në këtë vend, si dhe një kërkesë tjetër për ekstradim nga autoritetet italiane për veprën penale të “pjesëmarrjes në organizata kriminale, me qëllim importimin e sasive të mëdha të drogës“, të kryer në Itali.
Burimet policore sqarojnë se ndaj Astrit Bushi vazhdojnë hetimet nga strukturat e Policisë së Shtetit, pasi akuzohet dhe për krime të tjera të rënda, ndër të cilat dhe vrasjen e një punonjësi policie ndodhur në qytetin e Laçit. Gjatë operacionit “Arbusto 2” policia sekuestroi në vendin e ngjarjes një pistoletë tip “Bereta”, me një krehër që mbante 15 fishekë, mjetin tip “Benz Mercedes”, me targë TR 0544 T dhe pesë aparate celularë të llojeve të ndryshme. “Materialet procedurale në ngarkim të shtetasit Astrit Bushi i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Shtetit. Pasi të përfundojnë hetimet ndaj Bushit, nëse ka kryer ndonjë vepër penale në Shqipëri, do të nisin procedurat e ekstradimit nga vendet që e kërkojnë këtë shtetas për krimet që akuzohet se mund të ketë kryer.
13 Dhjetor 2010