E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimet e mësuesve, qeveria i hoqi edhe nga borderotë e dhjetorit



Ervin KOÇI

Shpërbimi i fundvitit për të gjithë arsimtarët e vendit nuk është regjistruar as në borderonë e dhjetorit. Burime nga Thesari i Shtetit bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se, “në pagesën e muajit dhjetor 2010, është shënuar vetëm fondi i pagave në një kohë që shpërblimi as që është shënuar”. Një fakt të tillë e konfirmojnë edhe burime nga Ministria e Arsimit, të cilat shkojnë më tej duke i hedhur përgjegjësinë Ministrisë së Financave për moskalimin e fondit të shpërblimeve të fundvitit bashkë me atë të pagave të dhjetorit, të cilën mësuesit duhet ta marrin përpara festave. Por nga ana tjetër është pikërisht kjo ministri (MASH), që ka ndjekur me bindje urdhrin arbitrar të qeverisë për mbajtjen me detyrim të shpërblimit të arsimtarëve në të gjithë vendin, që nga ana tjetër bie ndesh me ligjin “Për akordimin e shpërblimit në fundvit për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore”. Por si të mos mjaftonte ky poshtërim për arsimtarët, këtyre të fundit u është kërkuar që të vendosin edhe firmat për “dhurim” me dëshirë të shpërblimit në listat që çdo shkollë e vendit ka dorëzuar në drejtoritë arsimore të rretheve. Sipas arsimtarëve, në këto lista çdo mësuesi i është kërkuar që të vendos firmën për “dhurim vullnetar” të shpërblimit të fundvitit, në solidaritet me përmbytjet që kanë ndodhur në zonën e Shkodrës.

Detyrimi për Shkodrën
Me listë prezencë për para dhe me një fletë ku shënohej: “Unë jap shpërblimin tim në ndihmë të familjeve shkodrane”, qindra mësues të Tiranës dhe të të gjithë vendit janë detyruar të firmosin prej zorit shpërblimin e fundvitit për ngjarjet në veri të vendit. Kjo situatë ka ndodhur në pjesën më të madhe të shkollave, e ndërsa mësuesit e pranojnë nën zë, drejtorët thonë se po ndërmarrin iniciativa kolektive për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Në vend janë 34 mijë mësues ndërsa sipas llogarive, i bie që shuma e shpërblimeve të tyre të arrijë shifrën 340 milionë lekë. Shumë prej mësuesve e kanë firmosur nën zë dhe aspak pa dëshirë listën që u është diktuar nga drejtorinë arsimore të rretheve. Edhe pse mezi po e prisnin shpërblimin e fundvitit, shtresa më e varfër e administratës për të ruajtur vendin e punës është detyruar që ta hedhë firmën për një veprim të cilin qeveria po ta kishin lënë me dëshirë, askush nuk do ta dhuronte.

Arsimtarët
Pushtetarët janë duke bërë motivim psikologjik me arsimtarët, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të administratës publike, duke u përpjekur të prekin sado pak ndjeshmërinë e tyre, me qëllim marrjen e 90 mijë lekëshit të plotë. Për të arritur këtë qëllim ato janë duke përdorur jo pak edhe drejtuesit e shkollave, të cilët në mbledhjet që kanë bërë me këshillin pedagogjik, kanë dhënë modelin e tyre të mirë, duke u thënë kolegëve se “ata do ta jepnin të gjithë shpërblimin e tyre”. Për shkolla të veçanta është aplikuar kjo skemë në të gjithë stafin, ndërsa në disa të tjera kolektivi i mësuesve nuk ka rënë dakord, duke propozuar mbajtjen e një pjese të kontributit. Disa shkolla kanë rënë dakord për të dhënë 1 mijë lekë në ndihmë të banorëve, të tjera diçka më shumë, në disa të tjera 5 mijë, e kështu me radhë, deri tek ato që e kanë dhuruar të gjithë pagën shtesë (shpërblimin) për të përmbyturit.

Përmbytjet, qeveria nuk ka ende një faturë të dëmeve

Ministria e Financave nuk ka ende një faturë financiare të dëmeve që janë shkaktuar për të pestën herë nga përmbytjet në veri të vendit. Ndërsa është premtuar nga qeveria kompensimi i banorëve, ende nuk dihet se sa do të preket arka e shtetit nga kjo emergjencë. Në Buxhetin 2011 janë parashikuar 6.8 miliardë lekë kontigjenca dhe fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, nga të cilat do të zbritet kompensimi i kasave fiskale dhe investimi për thellimin e Bunës. Vlera e përgjithshme për kompensimin e kasave fiskale është 2.6 miliardë lekë dhe nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se në buxhet mbeten edhe 4.4 miliardë lekë. Pak ditë më parë, Kryeministri Berisha deklaroi se do të investohen 1 miliardë lekë për thellimin e lumit Buna, si një ndër masat që do të ndërmerren për të shmangur përmbytje të tjera në veri të vendit. Ky investim e zbret në 3.4 miliardë lekë fondin që qeveria ka në dispozicion për përballimin e situatës në zonat e përmbytura, si dhe për emergjencat e tjera që mund të ndodhin gjatë gjithë vitit 2011.

Përmbytjet, Meta: “Po lëmë pas situatën e emergjencës”

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, ka deklaruar se tashmë po tejkalohet gjendja e emergjencës nga përmbytjet në Shkodër. Gjatë inspektimit të Bushat, Meta pasi vlerësoi sakrificën e ushtrisë dhe policisë për të përballuar situatën theksoi se, furnizimi i banorëve me ujë dhe ushqime është i garantuar. Sipas tij, tani parësor mbetet koncentrati për bagëtinë. Gjithashtu, Meta vlerësoi edhe punën e bërë për të forcuar argjinaturën e Torovicës. "Bendi i Torovicës është kalaja që nuk i lamë ujit”, -theksoi Meta duke shtuar se, ndihet krenar që nuk u humb asnjë jetë njeriu gjatë përmbytjeve.

Karitasi shqiptar, ndihma për banorët e izoluar në Shkodër

Karitasi shqiptar ka dërguar ndihma ushqimore dhe veshmbathje dje në zonët e përmbytura të Nën-Shkodërs në Obot dhe Dajç të Bregut të Bunës. Janë rreth 3 mijë ton ndihma që Karitsasi ka shpërndarë që në fillim të këtij muaji në zonat e përmbytura të Shkodrës dhe në zona të tjera të Shqipëisë, ndihma që po vazhdojë të shpërndahen. “Ndarja e ndihmave ka filluar që para një muaji kur filloi përmbytja e parë në Fushë Krujë. Deri tani janë shpërndarë mbi tre mijë ton ndihma ushqimore”,- u shpreh drejtori i Karitasit Shqiptar, Albert Nikolli. Por sipas drejtuesve të Karitasit kjo është një fazë e parë e cila ka si qëllim ardhjen në ndihmë kryesisht familjeve të varfra.

Qeveria maqedonase dhuron ekspert, ndihmw për Shkodrën

Shkupi do të dërgojë në Shkodër ndihma teknike. Kështu është vendosur në një seancë urgjente të qeverisë së Maqedonisë ku është diskutuar situata e krijuar nga përmbytjet në vend dhe rajon. “Duke analizuar situatën në Maqedoni konstatuam se në këtë moment jemi të gatshëm që Drejtoria për Shpëtim të ndërhyjë edhe në Shqipëri dhe kemi miratuar një vendim që atje të dërgojmë një ekip që do të jetë i pajisur me dy barka gome dhe me 6 pompa për pompimin e ujit”,- u shpreh Abdylaqim Ademi. Por përveç ndihmës modeste Maqedonia nuk po tregon gatishmëri për të zvogëluar lëshimin e ujit përmes Drinit të Zi, ndonëse niveli i Liqenit të Ohrit nuk është në pikën kritike.

Rrëshqitja e dherave, dëmtohen 100 m rrugë në aksin Vlorë-Sarandë

Aksi rrugor Vlorë-Sarandë ka pësuar sërish dëmtime në zonën e Radhimës. Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë përkeqësuar tokën që rrëshqet vazhdimisht dhe që është dëmtuar në një gjatësi prej 100 metra. Për të shmangur aksidentet e mundshme, ndërmarrja e rrugëve ka rivënë tabelat sinjalizuese të cilat paralajmërojnë rrezikun që drejtuesit e automjeteve mund të hasin. Sipas specialisteve, nëse nuk merren masa të menjëhershme rruga për shkak edhe të erozionit rrezikon të përfundojë në det. Rruga në zonën e Radhimës ka shfaqur probleme edhe vitin e kaluar. E vetmja masë që u mor ishte vendosja e një shtrese asfalti, ndërsa nuk u kryen punime në argjinaturë.

13 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›