E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët Lohan e Montobbio takim me Topin: Dialog politik

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan dhe ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobio de Balanse me cilësinë e vendit që ka Presidencën e radhës së BE-së.
Dy diplomatët i prezantuan kreut të shtetit programin politik dhe diplomatik të presidencës spanjolle dhe përparësitë e saj gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Personalitetet e larta diskutuan për zhvillimet aktuale në vend, duke u përqendruar veçanërisht tek situata politike, si dhe në domosdoshmërinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e institucional për vazhdimin e reformave jetike për vendin tonë, ku në mënyrë të veçantë u theksua rëndësia e reformës në drejtësi.
Në këtë takim, ambasadori Lohan dhe ambasadori Montobio, pasi e njohën kreun e shtetit shqiptar me programet dhe objektivat e ardhshme të Bashkimit Evropian, sidomos pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe krijimit të strukturave të reja drejtuese, shprehën mbështetjen e tyre për inkurajimin e forcimit të demokracisë dhe fuqizimit të rolit të institucioneve si dhe përmbushjen sa më parë të aspiratave integruese të popullit shqiptar.
Presidenti Topi edhe në këtë takim ritheksoi faktin se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është përparësi kryesore e politikës së jashtme shqiptare dhe se ne jemi të vetëdijshëm për përpjekjet madhore dhe sfidat që duhet të përballim për realizimin sa më të shpejtë të kësaj aspirate. Kryetari i Shtetit u shpreh i bindur për bashkëpunim të plotë me Presidencën spanjolle dhe delegacionin e BE-së në Tiranë në synimin e përbashkët të përshpejtimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›