Përmbytjet, banorët e evakuuar në Durrës strehohen në qendrat e Konvaleshencës

Pas reshjeve intensive që përfshinë Durrësin gjatë 48 orëve të fundit, ka nisur puna për trajtimin e familjeve të prekura.
Dhjetëra banorë janë akomoduar në kohë rekord në ambientet e kavaleshencës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme.
Sipas autoriteteve, të gjithë personat e zhvendosur po marrin ushqim, kujdes shëndetësor dhe kushtet e nevojshme pas situatës së vështirë që kaluan. “Në zonën e Durrësit, mbi 300 banorë janë trajtuar në kohë rekord me akomodim, ushqim dhe kujdes shëndetësor në ambientet e konvaleshencës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme teksa ekipet e bashkisë, të emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura vijojnë punën për normalizimin e situatës në disa zona të qytetit. Bashkë dhe gati me çdo familje shqiptare në përballimin e pasojave të 48 orëve reshje intensive”, shkruan në Facebook ministri i mbrojtjes, Pirro Vengu.Ekipet e bashkisë, emergjencat civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa zona të Durrësit për të larguar ujin dhe për të pastruar rrugët nga mbetjet e sjella nga vërshimi.
Prioritet mbetet mbështetja për çdo familje që ka pasur dëmtime në banesë, ndërsa situata po monitorohet minutë pas minute deri në tërheqjen e plotë të ujit.