Përmbytjet, forcat e armatosura në gadishmëri të plotë
SHKODER- Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë vijojnë të jenë të angazhuara për përballimin e emergjencës në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës pas përmbytjeve të shkaktuara nga prurjet e mëdha të reshjeve të shiut dhe nga baticat detare. Në një njoftim shpërndarë për mediat nga Ministria e Mbrojtjes mësohet se aktualisht në zonat e përmbytura janë të angazhuara në terren 96 forca dhe 40 mjete, nga të cilat 13 makina vetëshkarkuese për ndërtim argjinaturash të dëmtuara, 4 fadroma, 6 motobarka, 2 eskavatorë, një rimorkiator, katër mjete transporti për evakuimin e banorëve, autobot karburanti, etj. Po në këtë njoftim bëhet e ditur se gjatë ditës së sotme, Forcat e Armatosura kanë ndërtuar një argjinaturë 70 metër të gjatë dhe një metër të lartë në vijën e fshatrave Baragjat, Rrushkull dhe Belaj, në mënyrë që këto fshatra të mbrohen nga përmbytjet. Në gatishmëri për mbështetje të menjëhershme janë vendosur 146 forca dhe 138 mjete të tjera, të cilët shërbejnë kryesisht për evakuimin e banorëve me mjete dhe motobarka si dhe për transportimin e mallrave. Gjithashtu është vënë në gatishmëri edhe Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës për pritjen dhe sistemimin e 416 banorëve, në rast nevoje. Gjatë ditës së sotme forcat ushtarake kanë kryer kryesisht riparim argjinaturash, transportim mallrash dhe evakuim banorësh në fshatin Obot. Aktualisht forcat ushtarake ndodhen në gjendje gatishmërie në Komunën Dajç për evakuim të banorëve. Forcat ushtarake ndodhen në gatishmëri për tu përdorur sipas nevojave dhe kërkesave të Shtabit të Emergjencës. (e.n/BalkanWeb)