E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli e Basha në zonat e përmbytura, thirrje për evakuim

SHKODER- Kryetarja e kuvendit njëherësh dhe deputete e Shkodrës Jozefina Topalli ka vizituar zonat e përmbytura nga hapja e portave të digave. Duke pranuar se kemi të bejmë me një situatë emergjente, Topalli u bëri thirrje banorëve të mos rezistojnë, por të pranojnë të evakuohen duke iu shmangur rrezikut. Sipas zyres se Shtypit te Kuvendit, zonja Topalli ka ndjekur nga afër situatën e banorëve të këtyre zonave, ka takuar përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe ka marrë pjesë në mbledhjet e Shtabit të Emergjencës, që është ngritur pranë Prefekturës së Shkodrës. Kryetarja e Kuvendit në takimet me banorët e zonave të prekura u kërkoi atyre që të bashkëpunojnë me forcat e rendit dhe të mbrojtjes për t'u larguar nga banesat e rrezikuara nga përmbytjet. "Që nga mesnata edhe në këtë momente që unë jam në fshatrat e komunës së Dajçit, ka një rritje të nivelit të ujit, pavarësisht faktit që koha është e mirë. Mendohet se mund të ketë rritje të mëtejshme të nivelit të ujit në orët e ardhshme. Unë shoh që ka një angazhim të jashtëzakonshëm të forcave të ushtrisë, policisë dhe të shëndetësisë. Po përpiqemi të bindim banorët që të bashkëpunojnë më tepër me të gjitha forcat e policisë dhe ushtrisë. Plani i evakuimit është gati, ndërkohë që shumë familje janë evakuar, por janë të tjera familje që rezistojnë dhe hezitojnë për t'u larguar nga shtepia. Shteti, siç ka premtuar kryeministri Berisha, do të dëmshpërblejë çdo dëm të tyre. Kjo është një situatë e rëndë. " u shpreh Topalli. Thirrje banorëve për sensibilizim dhe evakuimin e tyre nga zonat e përmbytura në fshatrat e Shkodrës ka bërë edhe Ministri i Brendshem Lulëzim Basha. Gjatë inspektimit sot në këto zona, Basha tha se do të merren masa që gjatë procesit të shpërnguljes për cdo familje të sigurohen të gjitha gjërat e nevojshme për ta. “Evakuimi ka qenë problematik pasi shumica e banorëve kane rëfuzuar të largohen , duke pasur parasysh nivelin e ujit të cilin e konsiderojnë jo kërcënues. Unë dua tu bëj thirrje të gjithë banorëve të zonave ku është shpallur gjendja e emergjencës në qarkun e Shkodrës që ti paraprijnë kësaj situate duke baskëpunuar me strukturat e emergjencës kudo ku janë ngritur. Policia, ushtria kanë vënë të gjitha mjetet në dispozicion për evakuimin e familjarëve. U bëj thirrje dhe i lus banorët të tregojnë ndërgjegjësim dhe të bashkëpunojnë me pushtetin lokal, të fillojnë evakuimin sa situata është akoma në një gjenjde të kontrrollueshme ” u shpreh ministri Basha. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›