E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet në Korçë, banorët bllokojnë rrugën nacionale

Fermerët e përmbytur në juglindje bllokojnë rrugën nacionale, kërkesa qeverisë për dëmshpërblim. Rreth 50 fermerë të fushës së Maliqit janë organizuar gjatë mesditës të të enjtes në një protestë pas indiferencës së shtetit siç shprehen ata në lidhje me mungesën e dëmshpërblimit. Fermerët kanë bllokuar aksin nacional Korçë-Pogradec për afro 30 minuta,

 ndërsa është dashur ndërhyrja e forcave të rendit për të kthyer në normalitet qarkullimin e shumtë të automjeteve. Disa dhjetëra makina janë pezulluar në lëvizje në të dy anët e rrugës, ndërsa pritet që protesta të vazhdojë sipas fermerëve nëse shteti nuk reagon.  Vetëm një ditë pasi Këshilli i Ministrave vendosi dëmshpërblimin e banorëve të përmbytur në zonën e Nënshkodrës, në një tjetër zonë të vendit të përfshirë nga përmbytjet masive kanë nisur protestat. Mungesa e vëmendjes së shtetit dhe e  dëmshpërblimi të tyre, ka nxitur këta të fundit në një protestë e shoqëruar me parulla të shumta. Fermerët e dëmtuar nga përmbytjet e tokave të tyre bujqësore të mbjella në vjeshtë, i kërkuan qeverisë të ngrejë një komision për verifikimin e dëmeve dhe të dëmshpërblejë për të mbjellat e tyre të humbura. Policia ka ndërhyrë për hapjen e rrugës duke larguar fermerët me arsyetimin se protesta është e jashtëligjshme. Pas rreth 30 minutash rruga është hapur ndërsa fermerët premtuan të rikthehen sërish në protesta të ngjashme, në rast se nuk do të kthehet vëmendja ndaj tyre. Fusha e Maliqit është përmbytur për shkak të reshjeve dhe ujërave të lumit Devoll. Më shumë se 3500 hektarë tokë u përmbytën duke rikthyer edhe njëherë ish kënetën e famshme të 60 viteve më parë. Mungesa e investimeve, por dhe dëmtimi i një kolektori të lumit Devoll në zonën e Pojanit ka shkaktuar vërshimin e ujërave në tokat bujqësore. Bordi i Kullimit ka bërë të ditur se qeveria për këto zona të përmbytura ka çelur një fond prej 50 milion lekësh për të ndërhyrë në to me urgjencë, ndërkohë që do të mendohet gjithçka gjatë stinës së verës, për të mos u përsëritur e njëjta situatë. Megjithë ardhjen e pranverës dhe përmirësimit të kushteve klimaterike të motit, përmbytja vazhdon të jetë evidente në këto toka që përfshijnë zonën e Vreshatsit, Drithasit, Libonikut. 
I. Frasheri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›