Rusia “lejon” Hidink të drejtojë Juventusin
Rusia i ka dhënë leje trajnerit të kombëtares së këtij vendi Gus Hidink që të drejtojë edhe në një klub përveç saj, duke rritur kështu shanset që ai të marrë pankinën e Juventusit. Ministri i Sporteve në Rusi, Vitali Mutko, ka thënë se holandezi është i lirë të bëhet edhe trajner i një klubi gjatë kësaj kohe, ashtu siç bëri vjet me çelsin. Një gjë e tillë duket konfirmim i asaj ç’ka është thënë në shtypin italian se Hidink do të jetë pasuesi i Ferrarës në stolin e “Zonjës së Vjetër”. Pas humbjes 3-0 me Milanin, drejtuesit bardhezinj janë duke menduar për të gjetur pasuesin e çiro Ferrarës, që duket se do të jetë holandezi, një prej trajnerëve më të mirë në botë. Kushti i vetëm i vënë nga Rusia për të është ajo e heqjes dorë nga rroga me Federatën e këtij vendi përsa kohë të drejtojë Juventusin. Disfata e së dielës në mbrëmje thuajse u ka dhënë fund shpresave të Ferrarës për të vazhduar aventurën e tij në krye të skuadrës torineze. Ai ka deklaruar se vetë nuk do të largohet, ndërsa është konfirmuar fakti se do të jetë në stol edhe në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Napolit ditën e mërkurë. Por, në kampin bardhezi duken gati për ndryshimin e madh. Juventusi ka pësuar 6 humbje në 8 ndeshjet e fundit, përfshirë disfata të paharrueshme se ajo 2-1 me Katanian si edhe eleminimi nga Champions League kundër Bajernit të Mynihut, që fitoi 4-1 në Torino. Faji nis nga Ferrara, që ende nuk ka gjetur modulin e duhur për këtë skuadër, pavarësisht se në verë u shpenzuan 50 milionë euro për të blerë Diegon dhe Felipe Melon. Edhe dëmtimet kanë luajtur rolin e tyre, i fundit ai i Kristian Poulsen që do të qëndrojë jashtë për 2 muaj. Juventusi ka rinisur të stërvitet paraditen e së hënës në Vinovo dhe ajo që binte në sy ishte mungesa e tifozëve. “Shoh një skuadër të trembur, - tha trajneri i kombëtares italiane Marçelo Lipi. – Këta futbollistë janë nën presion dhe bëjnë gabime që nuk i bëjnë në kushte normale”, deklaroi më tej ai. Këto gabime u panë qartë në ndeshjen me Milanin, ku skuadra pësoi 3 gola nga 3 goditje këndi dhe në të tre rastet, lojtarët ishin të pambuluar. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)