E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet nuk ndodhën

04-03-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Ndjesa nuk e fisnikëron dot atë që gabon me qëllim, por kur ajo thuhet e ndjerë, ta paktën nxit për mësime. Të gënjyerit, faljen për gabimin e kryer ndaj tyre, nuk e shndërrojnë menjëherë në besim për rrencin, por mprehin vrojtimin. Kjo sjellje,  njerëzore dhe e moralshme, nuk shprehet vetëm ndaj individëve të veçantë, por edhe për subjekte  politike që, për hir të ngutjes drejt pushtetit, disa herë përcjellin kumte dëmtuese apo  edhe deri marroke.
Pa u endur nëpër fushata zgjedhore, shqiptarët panë me të dy sytë dhe dëgjuan me të dy veshët, drejtpërdrejt nga ekranet e televizioneve (duke qenë të shumtë, edhe të mirën edhe të keqen, ato e disafishojnë me përsëritjet e tyre pa cak e kufij), paralajmërime për përmbytje të mëdha. Përmbytjet, sidomos nga ajo më e fundit, në Shkodër, u kanë futur njerëzve “lepurin në bark”, pasi ato rrezikojnë jetët njerëzore, shkaktojnë dëme të pallogaritshme, varfërojnë banorët dhe i bëjnë të ndjehen të pasigurtë në trojet ku kanë kryer investimet e jetës. Edhe për këso rastesh përdoret thënia që, “në shtëpinë e të varurit mos përmend litarin”. Por, së voni, litari është tundur dy herë: para syve të  Bashkimit Europian, për ta llahtarisur Brukselin me emigracion masiv ilegal – për  fitimin e zgjedhjeve që shkuan, duke i dëmtuar shqiptarët, dhe herën tjetër u kërcënua me llahtarinë e përmbytjes, popullsia e viseve fushore - me qëllim të dëmtimit të qeverisjes për zgjedhjet që vijnë.
Një vit e gjysmë më parë, kur u hetua se Bashkim Europian po merrte vendimin për të hequr vizat, mbi bazën e vlerësimit të plotësimit të kushteve teknike nga Shqipëria, qe gati për të mos e besuar, por ishte e vërtetë, sepse pamë liderë të opozitës, të frikësonin Brukselin: po i  hoqët vizat, mbani me shëndet rreth 1 000 000 shqiptarë, që do të përmbytnin sidomos Italinë, Gjermaninë, Francën dhe Belgjikën, ose shtetet me zë të fortë në BE. Brukseli nuk u zmbraps nga ky frikësim që vinte nga opozita e Shqipërisë, por ndërtoi struktura dhe përcaktoi rregulla të vëzhgimit, nxitur nga rasti i Serbisë e Maqedonisë, duke shqiptuar se, po të shkeleshin rregullat e lëvizjes së lirë, edhe mund të rivendosej regjimi i vizave.
Shqiptarët e kapërcyen provën pa krijuar problem. Të gjithë janë njohur me raportet vlerësuese të Bashkimit Europian, por nuk kanë dëgjuar  ende, liderin e  opozitës, të kërkojë ndjesë të dyfishtë, ndaj Brukselit dhe ndaj shqiptarëve, për gabimin e qëllimtë, enkas për ta përdorur për rezultatin e zgjedhjeve duke dëmtuar Shqipërinë.
Përveç që nuk u kërkua ndjesë, nuk janë nxjerrë as mësime, qoftë dhe në mënyrë të heshtur. Shkurti i gjatë, i vitit 2012, me 29 ditë dhe borë pa fund, kërcënoi seriozisht banorët e zonave malore. Dhe jo pak, por thuajse gjysmën e territorit të vendit, si dhe qeverisjen e cila kishte përgjegjësinë e përballimit të rreziqeve, gjetjen e mjeteve dhe të financave, për të shpëtuar jetët njerëzore, të furnizonte me ushqime e barna, dhe të vendoste lidhjet me qendrat e komunave të bllokuara. Kur Shqipëria, si rrallë herë, u shndërrua në shkretëtirë të bardhë me të ftohtë polar, me 1 - 2.7 m borë, dhe qielli nuk prante së hedhuri borë të re mbi të vjetrën, kryetari i opozitës, pati zemër e doli e tha, diçka që nuk ia merr mendja njeriut: ai trembi popullsinë e zonave fushore, me përmbytje të mëdha të pashmangshme nga shkrirja e menjëhershme e borës. Përdorja e vështirësive natyrore, e fatkeqësive që vijnë nga shkundja e qiellit apo dridhja e tokës, për kapital politik për pushtet, është pashpirtësi. Por, investimi politik me paralajmërime përmbytjesh - Bashkimin Europian me rreth 1 000 000 emigrantë të paligjshëm, viset fushore të Shqipërisë me përmbytje të mëdha të pashmangshme - përbëjnë papërgjegjësi  politike të padëgjuar. Dhe, nuk ka asnjë mendje për ndjesë. Le të mos i kërkohet ndjesë qeverisë, në fund të fundit ajo e kishte për detyrë të plotësonte kushtet teknike për lëvizjen e lirë të njerëzve si dhe të ndihmonte zonat e bllokuara nga bora. Por,  t’u kërkohet ndjesë me dorë në zemër, Brukselit dhe shqiptarëve, se ç’faj kanë Brukseli dhe shqiptarët që kryetari i opozitës i humbet zgjedhjet? Kjo ndjesë, për gabimin e qëllimtë të frikësimit të njerëzve, për të shumuar zgjedhës, nuk e fisnikëron as individin dhe as  partinë, por do të qe një shembull  qytetarie dhe kurajoje për t’i parë njerëzit në sy.  Mosbëzajtja e opozitës për ndjesë të detyruar ndaj shqiptarëve dhe mbamendja “vath në vesh” e shqiptarëve për gabime të qëllimta, qëndrojnë në dy pozicione të papajtueshme,  dhe nuk janë gjëra të vogla për t’u harruar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›