Në krye të socialistëve të Tiranës zgjidhet Saimir Namik Maqo Zela
Garës së Tiranës i dihej fituesi. Ai ngërthen në vetvete farsën e Namik Dokles e të Maqo Lakrorit, por kandidatit të djeshëm i është premtuar se do të përfitojë diçka, por se çfarë, ende s’dihet. Njeriu i Ramës, Saimir Tahiri ka qenë i komanduar për FRESSH-in dhe për Fondacionin “Qemal Stafa”. Tani mbetet vetëm të komandohet edhe për Forumin e Gruas
“Dhe maskaradës i vjen fundi, fitues është..., Saimir Tahiri”. Këto ishin reagimet e para dje, të socialistëve të thjeshtë, të cilët s’u pajtuan me farsën e zgjedhjeve për kryetarin e degës së Tiranës. Një proces i cili kaloi në disa mekanizma, për të bërë të mundur falsifikimin e votave dhe fshehjen e provave nga syri vëzhgues i atyre që i shohin përditë me dyshim zhvillimet në PS, s’do mend që do prodhonte një karikaturë që kurrsesi s’ishte surprizë për opinionin publik. Dhe në fakt, truket për uzurpimin e PS-së janë ashiqare, ditën për diell, dhe përdorimi i Ilir Zelës si komardare shpëtimi s’është as i pari dhe as i fundit, pasi këto janë dogmat e konjunkturave anti-demokratike që synojnë të krijojnë shtabet krizë-ndjellëse, në përpjekje për të mbuluar skandalet e brendshme. Zgjedhjet e djeshme për kryetarin e ri të degës së Tiranës vunë përballë njëri tjetrit Saimir Tahirin dhe Ilir Zelën. I pari njihet si ushtari i besuar i klikës së Edvinit; i dyti s’e ka këtë shans, pasi është ri-integruar në PS vetëm kohët e fundit, edhe pse është një ndër themeluesit e FRESSH-it dhe ndër politikanët e njohur të së majtës. Saimir Tahiri ishte kryetar i komanduar për Tiranën, ndërsa para tij u zhvlerësuan figura me kontribute historike në PS si Kastriot Islami, Andis Harasani, Musa Ulqni apo dhe Edlira Haxhiymeri, të cilët kanë drejtuar dhe orientuar politikisht forumet vendimmarrëse të selisë rozë. Ndaj, dje Tahiri ishte i krekosur pasi vinte në këtë garë si kryetar në detyrë dhe padyshim që adashi i tij, do ia shpërblente mundin dhe sakrificën e zhurmuesit para dhe pas zgjedhjeve të 8 majit, në prishjen e takimeve të Malajt dhe Harasanit në Kombinat, në nxitjen e incidenteve me shoqërinë civile përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, para Ministrive, gjatë sherrit e deri në fyerje me Arben Malajn në Kuvend, apo edhe përplasjet verbale me Erjon Braçen brenda selisë së PS-së. Dje u demonstrua hapur një nga praktikat që daton që nga viti i vështirë i ’91-shit, kur socialisti Namik Dokle pranoi të bëhej “kurban” për interesat politike dhe pushtetare të Ramiz Alisë, i cili përdori çdo mekanizëm pushteti për të mbajtur gjallë regjimin e kalbur. Sigurisht, duke kaluar mbi Namik Doklen, pasi ishte ky i fundit që i dha legjitimitet në një proces tërësisht ilegjitim dhe imoral. E përshtati Edvini në 2009-ën, kur ishte në mbijetesë politike, pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Komardarja ishte Maqo Lakrori, i cili “shpëtoi” uzurpatorin e PS-së, nga dallga mbytëse e humbjes elektorale. I degdisuri i PS-së ia doli mbanë të rikonfimohet në krye të ngrehinës socialiste, po përmes një garë të paligjshme e cila s’kishte asgjë demokratike. Gjithçka u bazua në një skenar të mirë përgatitur që si funksion parësor kishte t’i tregonte dhëmbët kritikëve në PS të cilët me të drejtë kërkonin “kokën” e Ramës, për humbjen e dyfishtë në 2009-ën dhe për besë prerjen ndaj socialistëve të thjeshtë. Po ashtu, kandidatura false e Lakrorit do manipulonte edhe bazën socialiste me ri-mandatimin e Ramës, pasi ishte vetë ish ministri i Transporteve që deklaroi në Kongres se besonte në një garë të bazuar në vlerat demokratike, ndërsa rezultati i saj do ishte fitore për demokracinë e brendshme të PS-së. 3 vjet më pas në skenë shfaqet një tjetër kandidaturë kukull, Ilir Zela, por këtë radhë për të shpëtuar karrierën e brishtë politike të zhurmuesit Saimir Tahiri. Me shumë vite përvojë politike, kontribute dhe si përfaqësues i vlerave evropiane të modernizimit të PS-së nën drejtimin e Fatos Nanos, Ilir Zela i shumëzoi me zero të gjitha këto, që nga momenti kur pranoi të vihej në ballë të garës për kryetarin e PS-së së Tiranës, duke besuar një proces me vlera konkurruese. Dhe të mendosh që sfidanti ishte Saimir Tahiri, i zgjedhuri personal i Edi Ramës prej 6 muajsh si kryetar i PS-së së Tiranës, kishte drejtuar prej disa vitesh Fondancionin “Qemal Stafa” që financohej nga taksapaguesit e Bashkisë së Tiranës. Vërtetë mendonte Ilir Zela, ish themeluesi i FRESSH-it, strukturë kjo që sot ka rënë në dorë të ish-Mjaft-istëve të Erjon Veliajt, se gara për kreun e PS-së së Tiranës do ishte demokratike, pra do fitonte më i miri, falë votës së 620 delegatëve të PS-së së Tiranës? Kjo është çështje e z.Zela, por pas shëmtisë së vjeshtës 2009-ë, Rama-Lakrori, në PS rikthehet edhe një tjetër shëmti, e quajtur Zela-Tahiri dhe në fund të fundit, fituesi dihet, pasi zgjedhja nuk bazohet te vota e socialistëve të Tiranës, por te dëshira dhe vullneti personal i Edvinit, për të pasur pranë vetes partizanin e Kombinatit. Në fund të farsës së djeshme, Saimir Tahiri u rimandatua në krye të degës së PS-së së Tiranës dhe bashkë me formacionin e tij të zhurmuesve, do marrë në dorë frenat e PS-së së kryeqytetit, duke krijuar kështu një celulë jo-socialiste që s’do ketë asgjë të përbashkët me politikën. Mbetet që “njeriut të zi” “siç e etiketojnë Tahirin në PS”, Rama t’i besojë edhe Forumin e Gruas, strukturë inekzistente prej vitesh, por më parë duhet të fitojë betejën me Erjon Veliajn, pasi ky i fundit e ndjen veten më pranë qenies së brishtë femërore. Gjithsesi, dje, Rama i preu kokën demokracisë së brendshme në PS, si dhe uli në gjysmë shtizë flamurin e Besëlidhjes me socialistët. Përfundimi: “i mashtroi sërish, ia hodhi edhe këtë herë, farsa vazhdon”!
Zgjedhjet
Socialistët kanë zgjedhur dje kreun e ri për PS-në e Tiranës. Saimir Tahiri ka rezultuar fitues pas zgjedhjeve, ku morën pjesë 520 anëtarë të Asamblesë nga 620 në të gjithë Tiranën. Tahiri ka marrë 390 vota, kundrejt 153 votave në favor të Ilir Zelës, ndërsa 6 fletë janë shpallur të pavlefshme. Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, deputeti socialist është shprehur se gara tregoi mënyrën se si funksionojnë gjërat në Partinë Socialiste. “Ishte garë e hapur dhe transparente. Rezultati na bën më të fortë për të përballuar sfidën e radhës, zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, të cilat do socialistët do t’i fitojnë”- tha Tahiri për mediat.
Blendi Klosi: Fitues do jetë Tahiri, sido që të votoni ju
Sekretari organizativ Blendi Klosi gjatë fjalës së tij hapëse u shpreh se në Partinë Socialiste ka vend për të gjithë dhe se dy kandidatët kanë platforma serioze dhe se ata kanë përcjellë mesazh të qartë duke shtuar në vijim se fitorja vjen nga Tirana. Por, ajo që s’mundi të sqarojë dot Klosi ishte nëse gara do ishte vërtetë demokratike dhe konkurruese, apo do ishte shëmbëlltyrë e maskaradës së 3 viteve më parë ndërmjet Edi Ramës dhe Maqo Lakrorit. Padyshim, sepse mesazhi që ai i dha anëtarësisë me të drejtë vote, ishte: “votoni si të doni, por fitues do shpallet Saimir Tahiri”! Kuptohet se askush s’e kishte marrë seriozisht këtë garë elektorale, për faktin e vetëm se nuk ishte aspak e tillë, por gjithsesi dy kandidatë bënë sikur garuan për të mbuluar falsitetin, ndërsa me urtësinë më të madhe, Ilir Zela shumë herë më i pjekur politikisht se ushtari i Ramës, Tahiri, uli kokën dhe pranoi të bëhej një kandidat kukull në mënyrë që i komanduari nga lidershipi të vazhdojë procesin e zhbërjes së degës së Tiranës. “Të dy kandidatët dëshmojnë se e duan PS, e cila ka 20 vjet që drejton dhe është forca më e madhe politike në vend, siç e duan që ata kanë vite që e kanë kontribuar. E duan Partinë Socialiste anëtarët e saj. Forca jonë do jetë e gatshme të japë kontributin për këtë qytetet. Të dy kandidatët dëshmuan se janë përfaqësues të gjithë brezave të PS. Dëshmuan se PS ka vend për të gjithë brezat. PS është streha e tyre që duan një qeverisje më të mirë për të gjithë qytetarët. Fitorja vjen nga Tirana siç thotë Iliri dhe duhet shumë punë siç thotë Saimiri” - u shpreh ai në çeljen e votimit.