Përmbytjet priten t’i shtohen listës së akuzave. Flasin Skënder Gjinushi dhe Erjon Veliaj
Opozita do të zhvillojë mbledhjen e saj të parë për këtë vit pasditen e sotme. Lajmi bëhet i ditur nga burime brenda Partisë Socialiste dhe theksohet fakti se kjo mbledhje do të shërbejë për miratimin e një axhende të përbashkët mes partive opozitare, për rinisjen e protestave në qytetet kryesore të vendit.
Po kështu, mbledhja e sotme do të shërbejë për diskutimin mes liderëve të opozitës për situatën e fundit të krijuar në vend si pasojë e përmbytjeve të qindrave banesave në veri të vendit. Slogani kryesor i protestave që pritet të rinisin nga opozita në vend tashmë është “Hap kutitë, ose bëj zgjedhje të parakohshme”, slogan ky i drejtuar Kryeministrit të vendit, Sali Berishës. Përveç listës së gjatë të problemeve që opozita shikon te qeveria aktuale, protestat që pritet të nisin javën e ardhshme do të kenë në qendër të tyre edhe kritikat për situatën aktuale të përmbytjeve që kanë pushtuar veriun e vendit. Skema e protestave të opozitës pritet të jetë e njëjtë. Burimet bëjnë të ditur se kjo valë e re e protestave do të nisë nga qytetet kryesore të vendit për të kulmuar në Tiranë, me një protestë masive.
Kjo valë e re protestash të iniciuara nga Partia Socialiste, duket se do të ketë edhe mbështetjen e fuqishme të aleatëve të saj. Kështu, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi në një prononcim për “Shqip” se arsyeve për të protestuar u shtohet edhe situata e rëndë aktuale që po pësojnë shumë familje në veri të vendit. “Kushtet emergjente aktuale në vend vijnë për shkak të korrupsionit të qeverisë dhe krizës së shkaktuar. Ndaj ka vetëm një zgjidhje, largimin e tij dhe krijimin e një qeverie që e çon vendin drejt BE-së dhe zgjedhjeve të parakohshme”, deklaroi Gjinushi.
Sipas tij, delegjitimiteti i këtij pushteti tregohet edhe me skandalet e shumta, dështimin me Durrës-Kukës, me Gërdecin, implikimet e pushtetarëve në afera të shumta, privatizimet dhe procese të tjera korruptive. “Sali Berisha kërkon një opozitë satelite, i kërkon gjoja dialog dhe pastaj e sulmon duke e konsideruar mafioze”, theksoi Gjinushi, duke konfirmuar pjesëmarrjen e partisë së tij në protestat e reja që do të nisin këtë muaj. I të njëjtit qëndrim është edhe kryetari i partisë G99, Erjon Veliaj. Në një prononcim për gazetën Veliaj thekson se protestat e opozitës janë të ligjëruara nisur edhe nga gjendja e rënde me të cilën po përballet një pjesë e vendit.
“Përmbytjet treguan sërish se një qeveri që u merr njerëzve votat, kollaj u merr edhe shtëpinë dhe katandinë”, theksoi Veliaj. Sipas tij, zgjidhja e vetme është largimi i qeverisë aktuale nga pushteti dhe kryerja e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Opozita ka paralajmëruar që vitin e kaluar për vazhdimin e protestave edhe në muajin e parë të këtij viti. Drejtuesit e opozitës janë shprehur se ata nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre për hapjen e kutive të votimit dhe se bojkoti e protestat do të vazhdojnë derisa në momentin kur kjo kërkesë të jetë plotësuar. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar thirrjet e mazhorancës për kthimin e opozitës në Parlament.
Po kështu, krerët e lartë të mazhorancës kanë theksuar se kërkesa e opozitës për hapjen e kutive nuk mund të plotësohet, pasi bie ndesh me Kushtetutën e vendit. Qëndrimi i palëve në pikat e tyre fillestare duket se do e bëjë edhe më të vështirë situatën politike në vend në muajt e parë të këtij viti të ri.