E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deti ka përparuar rreth 150 metra gjatë tri ditëve. Nuk ndodhte prej vitesh

Prej tre ditësh brigjet e detit të Semanit janë nën ndikimin e baticës. Deti ka përparuar me mbi 150 metra, duke bërë që e gjithë sipërfaqja e brigjeve të detit, që gjatë verës shërben për akomodimin e pushuesve, të mbulohet plotësisht nga uji. Zonat më të prekura janë plazhi i Semanit dhe Darëzezë. Burimet nga vendi i ngjarjes flasin se një pjesë e madhe e lokaleve dhe kioskave janë nën ujë. Administratorët e lokaleve në brigjet e Semanit kanë treguar se një situatë e tillë ka vite që nuk ka ndodhur.
Në brigjet e përmbytura ndodhen më shumë se 50 aktivitete tregtare si lokale dhe kioska. Dielli i së mërkurës nuk e ka larguar ujin, por pritet që në ditët në vijim brigjet e detit të shkojnë shumë pranë kufirit ku kanë qenë më parë. Por dukuria natyrore ka gëzuar peshkatarët e zonës. Shumë prej tyre shprehen se për sa ditë brigjet e detit janë zhvendosur, edhe gjahu i tyre do të jetë më i majmë. Nga ana tjetër, shtabi i emergjencave civile në prefekturë është mbledhur për të diskutuar rreth situatës hidrike në shkallë qarku. Në një deklaratë publike, prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, ka siguruar se situata e përmbytjeve është nën kontroll të plotë. Kujtojmë se gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, territori i Fierit është përmbytur pesë herë, si shkak i daljes së shtratit të lumenjve që e përshkojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›