E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me “iso” në BBC

Pas jehonës së çmimit “Kompozitori i vitit” në Britani, kompozitori shqiptar, Thoma Simaku, vihet sërish në qendër të vëmendjes. Prej datës 2 dhjetor, në një program special të radio BBC 3, i titulluar “Hear and Now”, po transmetohet edhe kompozimi i tij, “Radius”-Kuartet harqesh nr.2, interpretuar nga kuarteti “Diotima”.
është një kompozim i vitit 2002, që deri më sot është vlerësuar me disa çmime dhe është interpretuar në festivale të rëndësishme të muzikës klasike. Simaku cilëson se ky kompozim e ka fillesën në elementë të njohur të folklorit shqiptar, si iso-ja, të cilat janë pothuajse gjithnjë të pranishme në krijimtarinë e tij. Në intervistën e mëposhtme, Simaku, i cili i ka siguruar pozitat e tij artistike në Angli ku u zhvendos para 20 vjetësh, tregon për domethënien e çmimit të fundit dhe planet për një koncert të ardhshëm në skenën shqiptare.
Në muajin dhjetor, Akademia angleze e Kompozitorëve dhe Autorëve ju ka vlerësuar me çmimin “Kompozitori i vitit”. çfarë domethënie ka ky çmim për ju si krijues dhe si artist shqiptar me një karrierë të zhvendosur në një vend të huaj?
Ky çmim ka një domethënie të veçantë për mua. Duke lënë mënjanë jehonën që ka pasur në ceremoninë që u zhvillua në Londër, ku merrnin pjesë personalitete të muzikës, drejtues të festivaleve, kritikë, drejtorë artistikë të qendrave muzikore dhe përfaqësues të shtëpive botuese; një program i veçantë u transmetua edhe në radion kryesore kombëtare etj., më i rëndësishëm është fakti që vepra ka marrë vlerësimin maksimal nga një juri ku shumica ishin vetë krijues.
Kjo besoj se do të entuziazmonte çdo kompozitor, sepse tingulli nuk ka nevojë për përkthim dhe këtu prejardhja e krijuesit nuk ka fare rëndësi. Ajo që vlerësohet është vetëm muzika, të cilën juria e ka dëgjuar duke ndjekur partiturën. Por fakti që kjo vepër në thelbin e saj ka intonacione pentatonike shqiptare, për mua si krijues ka një domethënie edhe më të madhe.
Prej datës 2 dhjetor, radio BBC 3 transmeton një program special me pjesë të zgjedhura nga festivali i mbajtur në Angli (“Huddersfield Contemporary Music Festival”), më 28 nëntor 2009, pjesë e së cilit është edhe kompozimi juaj, “Radius” Kuartet Harqesh nr.2. çfarë vendi zë kjo vepër në krijimtarinë tuaj?
Kuarteti i Harqeve nr.2 është një nga kompozimet më të rëndësishme që kam shkruar gjatë këtij dhjetëvjeçari, në kuptimin që “strategjia” kompozicionale dhe teknikat e përdorura këtu për herë të parë janë trajtuar në forma të ndryshme edhe në vepra të tjera. Me këtë gjithashtu dua të them që, megjithëse kjo pjesë është ekskluzivisht instrumentale, epiqendra e muzikës është dialektika lineare e tingullit; me fjalë të tjera cilësia “vokale” e muzikës. Këtë ide e pasqyron edhe vetë titulli i veprës, “Radius”, që mund të përkthehet si “perimetër muzikor”: një linjë që përshkon të gjithë spektrin tingullor të një “instrumenti gjigand”, siç është kuarteti i harqeve.
Kuarteti i harqeve është një formë klasike, apo jo…?
Mund të thuhet pa hezitim se kuarteti i harqeve është zemra e muzikës klasike, pa të cilin është vështirë të kuptohet në thelb vetë muzika europiane. Këtu nuk është fjala për (apo vetëm për) dasmat apo funeralet që në shumë vende të Europës Perëndimore shpesh shoqërohen vetëm me një kuartet harqesh. Ajo që është më e rëndësishme, është fakti që kuarteti i harqeve është nga ato gjini të pakta klasike që i ka rezistuar kohës me mjaft sukses, që nga Hajden-i e deri në ditët e sotme. Gjatë kësaj hapësire jo të vogël kohore, është vështirë të gjesh në listën e kompozitorëve të mëdhenj nga ata që nuk kanë kompozuar të paktën një kuartet harqesh.
Shostakovich, për shembull, shkroi 15 kuartete (5 kur Stalini ishte gjallë dhe 10 kur Stalini kishte vdekur), ndërsa Stockhausen shkroi vetëm një, por të katër muzikantët (Kuarteti Arditti) e “ekzekutuan” veprën duke qenë secili i hipur në helikopter! Ndërsa Gëte (J.W.von Goethe) e ka cilësuar këtë formë të muzikës si një “bashkëbisedim midis katër njerëzve të mençur”. Ndoshta këtu e ka burimin dhe fakti që termin “kuartet” e ndeshim jo rrallë edhe sot në fjalorin politik ndërkombëtar.
A mund të thuhet kjo për kuartetet e harqeve që kompozohen sot?
Sigurisht që metafora e Gëtes është një përcaktim mjaft i saktë i kuartetit klasik, ku “biseda” apo “bashkëbisedimi” midis katër “përfaqësuesve” të seksionit simfonik të harqeve është bërthama e vetë muzikës. Kuarteti modern, nga ana tjetër, dhe sidomos ai nga gjysma e dytë e shekullit XX e deri më sot, përveç “bashkëbisedimeve” ka dhe “argumente” shpesh herë “të ashpra”, apo dhe “grindje” dhe “të bërtitura”. Të gjitha këto janë pjesë e “tekstit” muzikor.
E thënë me fjalë të tjera, në një vepër të tillë mund të gjesh momente kur është e qartë që në muzikë ka një “prijës” (lider) që drejton “temën e argumentit” dhe pjesëtarët e tjerë të kuartetit “pohojnë” ose “mohojnë”, veçmas apo së bashku, atë që propozon “udhërrëfyesi”; shpesh herë, por jo ekskluzivisht, ky rol i përket violinës së parë. Por nuk janë të rralla momentet kur intensiteti muzikor, ose “temperatura” e bisedës (apo e “grindjes”) vjen veçse në rritje deri në atë pikë ku rezultati përfundon në “mosmarrëveshje” apo “rekonstruktim” muzikor. Siç del dhe nga ky përshkrim, kuarteti i harqeve si formë apo “format” instrumental është tepër i zhdërvjelltë, dhe kjo cilësi nuk ka se si të mos u bëjë përshtypje kompozitorëve.
Si janë pasqyruar këto veçori në “Radius”?
Mendoj se është e vështirë për një krijues që të paramendojë se si do të dëgjohet apo lexohet vepra. Këtu i takon dëgjuesit apo studiuesit të muzikës që t’i identifikojë dhe interpretojë veçoritë e saj në atë mënyrë se si i dëgjon ai vetë, sepse në këtë pikë kemi të bëjmë dhe me tipare subjektive të aspekteve ekstra-muzikore. Por, për sa u përket aspekteve të mirëfillta muzikore, do të thosha që kuintesenca në këtë vepër është një notë e vetme, që figurativisht mund të përshkruhet në trajta të ndryshme: “atomistic compression” (ngjeshje atomistike) është një term që e kam përdorur në programin e kësaj vepre. Por ky nuk është i vetmi interpretim.
“Radius”, siç e përmenda dhe më lart, ka një aspekt të qartë linear, dhe këtu nuk do të ishte pa vend të thuhej se zanafilla e veprës është vetë “kënga”, sigurisht një këngë polifonike me katër zëra (Kjo është pikënisja e tekstit muzikor që pastaj gradualisht shpaloset në dimensione instrumentale më komplekse). Dikush në këtë “këngë” mund të dallojë marrësin, prerësin, hedhësin apo ison, që të katër prezantohen me radhë që në fillim të veprës; dikush tjetër mund t’i krahasojë këto me hyrjet e zërave të fugës…
Por, pavarësisht interpretimeve nga pikëpamja “gjeografike”, dinamika polifonike këtu është tipari esencial i muzikës, dhe ajo që është më kryesorja, në fokus këtu është një tingull i gjatë, por që shërben dhe si një forcë e brendshme për karakterin dinamik të veprës. Kjo notë në Mi-Bemol (tonaliteti i njëjtë me simfoninë heroike të Beethovenit, këtu është thjesht një koincidencë) është prezente gjatë gjithë muzikës, edhe atëherë kur nuk shihet apo nuk dëgjohet, këtë pa hezitim do ta cilësoja si “isoja” e veprës.
Si bëhen pjesë e krijimtarisë suaj elementët e muzikës tradicionale shqiptare?
Unë e kam ruajtur edhe sot e kësaj dite qëndrimin ndaj folklorit, sepse me teknikat bashkëkohore që përdor, nuk kam si qëllim të flas me një gjuhë muzikore “poliglote”. Në veprat e viteve të fundit jam përpjekur që të gjej forma të reja komunikimi me atë që do ta quaja idioma e “gjuhës muzikore amtare”.
E ndiej që kjo idiomë më integrohet në mënyrë të natyrshme me këto teknika; dhe ajo që është më e rëndësishme, besoj se esenca e saj luan një rol të veçantë në përcaktimin e karakterit muzikor, apo më gjerë, edhe vetë identitetit të muzikës. Më konkretisht, rezonancat e idiomave folklorike në veprat e këtij dhjetëvjeçari shprehen në elementë të tillë siç janë isoja, segmente të veçanta modale etj., dhe këto janë të prekshme, të paktën siç i dëgjoj unë.
Nisur nga rasti i transmetimit në Radio BBC 3 të kompozimit tuaj, sa besoni te komunikimi i muzikës klasike me një publik që mbetet virtual?
Besimi im kryesor është tingulli dhe rezonanca e tij, por gjithashtu besoj se njeriu gjithmonë do të ketë nevojë për muzikën klasike; dhe termi “klasik” këtu sigurisht që nuk mund të mos përfshijë muzikën që kompozohet sot, përndryshe arti do të kish “vdekur” me kohë! Një gjë e veçantë këtu është fakti që teknologjia, sidomos në këtë dhjetëvjeçar, ka bërë hapa “marramendëse”. Këtu ja vlen të përmendet iniciativa e BBC-së që një pjesë të mirë e programeve mund të dëgjohen në internet për një javë rresht nga dita e transmetimit.
Keni ndonjë projekt të afërt, apo keni menduar diçka për skenën shqiptare?
Këto ditë, nga kontaktet që kemi pasur me “Pro-Helvetia” në Tiranë dhe në Zyrih, një ide ka lindur që të organizohet një koncert, dhe unë kam propozuar që të kompozoj edhe një vepër të re. është shumë herët të thuash saktësisht se çfarë, qysh e tek, sepse kjo do të varet dhe nga shkalla e aktivitetit; ideja është që koncerti të nisë në Tiranë dhe pastaj të zhvillohet dhe një turne në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›