E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Fatbardh Licit, SPAK dërgon për gjykim 4 të pandehur

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër persona të akuzuar për vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në Shkodër në gusht të vitit 2018.

Të pandehurit janë Behar Brajoviq, Safet Rustemi, Astmer Bilali dhe Eria Ago, të cilët përballen me një sërë veprash të rënda penale, përfshirë “Vrasje me paramendim”, “Rrëmbim ose mbajtje peng”, “Mbajtje pa leje e armëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

SPAK: Vrasja lidhet me një zinxhir ngjarjesh kriminale mes dy familjeve

Sipas Prokurorisë së Posaçme, vrasja e Licit lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në Shkodër gjatë vitit 2018, të shoqëruara me konflikte për kontrollin e territorit. Hetimet kanë provuar se mes grupit Bajri dhe familjes Lici kanë ekzistuar përplasje të hershme dhe të vazhdueshme.

Pas vrasjes së Boran Bërcanës dhe bashkëshortes së tij, Silvi Ndoc, të afërt me të pandehuri, në korrik të vitit 2018, Behar Brajoviq ia atribuoi këtë ngjarje Ibrahim Licit, nipit të viktimës Fatbardh Lici. Kjo çoi drejt planifikimit të ekzekutimit të Fatbardh Licit si akt hakmarrjeje.

Si u krye atentati

Më 10 gusht 2018, Astmer Bilali dhe Safet Rustemi lëvizën me një automjet të vjedhur, “Benz” ngjyrë gri me targa AA 760 FX, deri te lokali i Sokol Licit, ku çdo ditë qëndronte viktima.

Fatbardh Lici ishte ulur jashtë lokalit kur automjeti u afrua. Bilali zbriti nga sedilja e pasagjerit dhe qëlloi me armë drejt tij, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, autorët u larguan drejt zonës së Dobraçit, ku makina u dogj për të humbur gjurmët.

SPAK thotë se pas krimit, Astmer Bilali u largua menjëherë drejt Tiranës së bashku me të pandehurën Eria Ago, e cila akuzohet për mbështetje të autorëve pas vrasjes.

Akuzat ndaj të pandehurve

Behar Brajoviq akuzohet për “Vrasje me paramendim për hakmarrje”, “Pjesëmarrje dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “Vepra penale të kryera nga organizatë kriminale”

Safet Rustemi dhe Astmer Bilali akuzohen për “Vrasje me paramendim në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje të armëve” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”

Eria Ago akuzohet për “Përkrahjen e autorëve të krimit”

Çështja i është kaluar Gjykatës së Posaçme, e cila do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të të katër të pandehurve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›