E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet varfërojnë tokat, specialistët e bujqësisë këshillojnë fermerët të bëjnë plehërime shtesë

Pas përmbytjeve të fundit që përfshinë fushën e Maliqit, tokat bujqësore kanë pësuar humbje të ndjeshme të lëndëve ushqyese të domosdoshme për zhvillimin normal të kulturave të lashta.

Sasia e madhe e ujit ka shkaktuar shpëlarjen e elementëve kryesorë ushqyes, duke varfëruar strukturën e tokës dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në rendimentin e pritshëm të prodhimit. Në këto kushte, specialistët e bujqësisë vlerësojnë të domosdoshëm plehërimin suplementar, si një masë e menjëhershme për të rikthyer ekuilibrin ushqyes të tokës.

“Këto reshje të bollshëm kanë sjellë probleme me largimin e lëndëve ushqyese nga toka. Rekomandoj për fermerët që të shohin kushtet e përshtatshme, që të jetë temperatura mesatare midis ditës dhe natës mbi 8 gradë dhe të mos ketë ngrica gjatë natës dhe të bëjnë plehërime plotësuese, sidomos me nitrat. Bima është e stresuar nga teprica e lagështisë dhe e përgatit për periudhën e dimrit”, u shpreh Arben Dulellari, Drejtor i Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë e Maliqit.

Ndërhyrja në kohë do të kontribuojë në stabilizimin e prodhimit bujqësor dhe në mbrojtjen e të ardhurave të fermerëve të zonës.

Gazetare: G. Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›