E Diel, 1 Nëntor 2026

'Përmeti' policia greke nuk lejon kalimin e shqiptarëve në Kakavijë e Kapshticë

KAKAVIJE- Kthime masive të shqiptarëve në dy pikat kufitare me Greqinë, atë të Kakavijës në Gjirokastër dhe Kapshticës në Korçë. 

Mësohet se pala greke iu përmend shqiptarëve konfliktin e ditëve të fundit në ‘Përmet’ mes kishës ortodokse e Bashkisë së këtij qyteti, ndërsa për t’I kthyer, sipas gazetarëve tanë përdor si justifikim sasinë e parave që qytetarët duhet të kenë me vete.

Mësohet se në pikën kufitare të Kakavijës një polic grek ka dalë në zonën neutrale dhe kthen mjetet me targa shqiptare. Ndërsa lejohen të kalojnë në kufi vetëm ata qytetarë që kanë leje qëndrimi e karta greke. Duke u nisur nga kjo situatë, drejtori i policisë kufitare në Kakavijë Admir Abrija ka kërkuar takim me homologun e tij grek. 

Në një komunikim telefonik për NEWS 24, zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Genti Mullai sqaroi se situata e krijuar atje është kaotike, ndërsa shtoi se deri më tani janë kthyer nga policia greke 121 shtetas shqiptarë.

Mullai sqaroi se fillimisht policia ka përdorur si justifikim mungesën e të ardhurave monetare që qytetarët kishin më vete, ndërsa më pas kanë përmendur edhe çështjen e Përmetit. 

E njëjta situatë raportohet edhe nga pika kufitare e Kapshticës. Që në orët e para të mëngjesit qytetarët shqiptarë janë kthyer masivisht në kufi.

Mësohet se policia greke iu kërkon të kenë me vete mbi 1500 euro, ndërsa iu përmend shqiptarëve edhe konfliktin e ‘Përmetit’. Situatën e krijuar atje policia greke e justifikon situatën me shumën monetare.

KTHIMET DJE
Ndërsa dje, emigrantët shqiptarë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës kanë denoncuar dje për NEWS 24, presionet e palës greke dhe kthimet në kufi duke përdorur si shkak largimin e kishës ortodokse në Përmet nga ambientet e Pallatit të Kulturës.

"Na kthyen. Kemi dy ditë këtu. Na kërkuan 1.500 euro dhe pastaj na thanë na morët Kishën e Përmetit. Na ofenduan mbi të gjitha. Ju jeni gomerë, ne nuk ju pranojmë më në vendin tonë. Nuk shkelni më, këto na thanë. Ishin shumë te egër dhe na kthyen mbrapsht. Kemi ardhur dy herë. Pala greke na shajnë, na ofendojnë, na kërkojnë lekë. Na thanë nuk do hynë më këtu për shkak të ngjarjes së Përmetit", - u shprehën emigrantët në prononcimet e tyre të dhëna dje për gazetaren e NEWS 24, Enkelejda Skënderasi. 

Po dje, pala greke ndaloi për rreth 1 orë grupin e xhirimit të NEWS 24, dhe fshiu pamjet filmike të regjistruara në tokë neutrale.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›