E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmeti thyen rekord, 95 për qind e personave pa pasaportë bëjnë kartat

Shumica e personave të papajisur me pasaporta ndërkombëtare në Qarkun e Gjirokastrës, kanë aplikuar për kartat e reja të identitetit. Sipas burimeve nga Institucioni i Prefektit të Gjirokastrës, nga 17 mijë persona që sipas listave të publikuara nga Ministria e Brendshme rezultojnë të papajisur me pasaporta ndërkombëtare, vetëm 3 mijë prej tyre ende nuk kanë shkuar në zyrat e aplikimit për të kryer këtë proces. Kjo shifër është siguruar pas kalkulimeve të kryera nga të gjitha zyrat e shpërndara në njësitë vendore të të tre rretheve në Qarkun e Gjirokastrës. Duket se më i përparuar në këtë proces është rrethi i Përmetit ku gati 95% e personave pa pasaportë kanë aplikuar për tu pajisur me dokumentin e ri të identifikimit. Komunat e Piskovës në rrethin e Përmetit, si dhe komunat e Dropullit të Poshtëm, të Sipërm dhe të Pogonit në rrethin e Gjirokastrës, kanë mbaruar punë me aplikimet e personave të cilët nuk kanë pasaportë, ndërkohë që sot është duke përfunduar ky proces edhe në Bashkinë e Memaliajt si dhe në Komunën Qendër -Tepelenë. Sipas të dhënave nga Institucioni i Prefektit ditët e fundit vërehet një fluks i madh i personave që po aplikojnë për tu pajisur me karta identiteti sidomos në Bashkinë e Gjirokastrës që konsiderohet më e madhja në Qarkun e jugut. Nga 3348 persona që rezultojnë në listat e Ministrisë së Brendshme pa pasaportë, 2000 prej tyre kanë aplikuar deri në orën 12 të ditës së sotme në zyrën e aplikimeve në qytetin e Gjirokastrës. Dje dhe sot në zyrën e aplikimit të kartave të identitetit në Bashkinë e Gjirokastrës, janë paraqitur më tepër se 200 persona pa pasaporta dhe në bazë të përllogaritjeve nëse do të ecet me këto ritme, pjesa e popullsisë së ngelur pa karta identiteti do të ezaurohet deri në datën 15 qershor që është edhe kufiri maksimal për aplikimet. Numri më i paktë i personave që rezultojnë pa pasaportë në komunat ku jeton minoriteti etnik grek në rrethin e Gjirokastrës, justifikohet me faktin se pothuajse shumica e tyre janë në lëvizje drejt vendit fqinj dhe emigrantë. Ndërkaq problem ngelen tërheqjet nga aplikuesit të kartave të dokumentit të ri identifikues dhe me këtë rast Institucioni i Prefektit të Gjirokastrës u ka bërë apel njerëzve ti tërheqin ato.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›