E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i UNESCO, Matsuura merr titullin "Qytetar Nderi" në Berat

BERAT - Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, z. Koichiro Matsuura ka mbërritur mesditën e djeshme në qytetin Muze të Beratit në një vizitë një ditore për të parë nga afër qytetin muze për të cilin 11 muaj më parë dha votën pro futjes të tij në listën e trashëgimisë kulturore botërore. Takimin e parë, kreu i trashëgimisë kulturore botërore e ka zhvilluar në Bashkinë e Beratit, ku dhe është pritur nga drejtuesit lokalë të këtij qyteti dhe nga të pranishmëm të tjerë të kulturës. Kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi ka pritur dhe përshëndetur vizitën e kreut të UNESCO-s, një vizitë kjo në kuadër të pranimit të qendrës historike të këtij qyteti në listën e trashëgimisë botërore kulturore. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe zv/kryeministri Genc Pollo, prefekti Beratit, Thoma Rumnici etj. Gjatë ceremonisë së organizuar në bashkinë e qytetit, kryetari i bashkisë Fadil Nasufi, duke falenderuar z.Matsuura dhe delegacionin që e shoqëronte në këtë vizitë në qytetin e moçëm ka vlerësuar se Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, z. Koichiro Matsuura ka patur një rol të rëndësishëm gjatë procesit të shqyrtimit dhe miratimit të dosjes së Beratit për tu përfshirë në listën e trashëgimisë botërore kulturore, ku ai ka mbajtur një qëndrim pozitiv dhe dashamirës ndaj këtij qyteti që nga fillimi i shqyrtimit të dosjes e deri në pranimin e Beratit në 8 korrik 2008 në listën e UNESCO-s. Në përfundim të ceremonisë, në emër të këshillit bashkiak, kryetari i bashkisë Fadil Nasufi i ka dhuruar Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s, z. Kiochiro Matsuura titullin "Qytetar Nderi i Beratit", me motivacionin "Për kontributin e dhënë në njohjen, promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore e historike të qytetit të Beratit dhe kujdesin e tij të drejtpërdrejtë për regjistrimin e Beratit si pasuri botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s". Z. Matsuura është Drejtor i UNESCO-s prej 9 vjetësh, duke mbajtur postin më të lartë në UNESCO-s në mandatin e tij të dytë, pas një karriere të suksesshme diplomatike si Ambasador i Japonisë në SHBA, si përfaqësues i Japonisë në G-7 dhe si Ambasador i Japonisë në Francë. Jam shumë i lumtur që jam sot në Berat ndonëse ftesa më është bërë në fund të tetorit 2008, me rastin e ceremonisë së hyrjes së Beratit në UNESCO po për shkak të kohës sime, vizita nuk u mundësua më parë. Jam sot këtu për të parë nga afër këtë mrekulli njerëzore që ju duhet ta ruani dhe mirëmbani çdo ditë dhe çdo skaj të saj, ka deklaruar për të pranishmit kreu i UNESCO-s i z. Matsuura,  duke shprehur mirënjohje për titullin që iu akordua nga pushteti vendor i Beratit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›