E Diel, 1 Nëntor 2026

Një jetë pas jete... Jeta dhe vepra e artistit Shaban Hysa në një dokumentar

Personalitete të artit dhe kulturës përkujtuan në Teatrin Kombëtar veprën e skenografit
Shaban Hysa ishte një ndër skenografët e parë profesionistë që punuan në Teatrin Kombëtar. Për të kujtuar dhe nderuara veprën e njërit prej këtyre emrave të mëdhenj të skenografisë dje në Teatrin Kombëtar u zhvillua një aktivitet në kujtim të skenografit Shaban Hysa. Në këtë aktivitet ishin të ftuar personalitete të artit shqiptar, por dhe miq e kolegë të skenografit. E veçanta e këtij aktiviteti ishte dhe një ekspozitë, e cila u në sallën e Teatrit Kombëtar por gjithashtu ishte dhe një dokumentar mbi jetën dhe veprimtarinë e skenografit Shaban Hysa. Dokumentari përmban jetën e tij, që nga shkolla fillore, por dhe materiale filmike, inskenime etj. Në vitin 2005 ai ndahet nga jeta. Vepra e fundit që ai ka bërë skenografinë ka qenë Streha e të harruarve me regji të Mihallaq Luarasit. Vjet ai kishte përvjetorin në shtator që bënte 70-vjetorin e lindjes. Ne u nisëm që të bëjmë një jetë të Shaban Hysës dhe kjo ishte dhe kërkesa nga Polonia, sepse ata duan që të bëjnë një CV të tij, pasi e kanë rreshtuar një ndër studentët më të mirë në Akademinë e tyre. Shabani shkoi për gjashtë muaj që të studionte, por në fakt ai atje studio atje disa vjet, tregon regjisori i dokumentarit dhe organizatori i këtij aktiviteti Pëllumb Dervishi. Më tej ai tregon se skenografi Shaban Hysa ishte një njeri që e donte artin dhe punonte me pasion, duke sjellë dekore dhe realizime të veçanta në shfaqje të ndryshme që viheshin në skenë. Ne u nisëm që të bëjmë një gjë të thjeshtë, mirëpo njeriu i madh do gjëra të mëdha. Ai ka bërë skenografinë e shumë veprave, të cilat një pjesë të madhe të tyre i ka të realizuar në opera. Ai ka qenë skenografi i baletit të parë Halili dhe Hajria apo Rigoleto. Ndërsa në Teatrin Kombëtar ia ka realizuar skenografinë e veprave Gjenerali i ushtrisë së vdekur i vënë në Prishtinëetj. Ai ka rreth 300 vepra në teatër,manifestime të mëdha kombëtare që bëheshin në atë kohë, vijon më tej regjisori Dervishi. Ndërkohë që regjisori  i dokumentarit Pëllumb Dervishi ruan dhe kujtime të shumta me të si koleg, por dhe si mik, ku tregon se: Shabani kur kishte për të vënë pjesë në teatër ai nuk flinte gjumë. Kur të tjerët pushonin ai nuk pushonte. Koha e tij ishte çdo ditë vizatim,dekor, pikturë. Për kontributin e tij ai u nderua me çmimin Artist i Merituar. Ai konsiderohej si një vënës para kohe i dekorit, për këtë ai kritikohej nga pushteti dhe duhej të bëhej ashtu si donte koha. Në dokumentar tregohet për një shfaqje, e cila u vu me dekor të tij, u kritikua nga pushteti i asaj kohe dhe pasi u ndryshua dekori shfaqja nuk pati atë sukses si pati me dekorin, që kishte bërë ai në fillim. Shabani ka qenë nga ata njerëz që të jepte kurajë. Skenografi Hysa është gjithashtu, përfaqësues i plejadës së shkëlqyer të teatrit dhe pikturës, por në veçanti të skenografisë shqiptare. Ka kontribuar me profesionalizëm dhe mjeshtri, duke qenë pa dyshim një nga kolegët më të mirë të krijimtarisë. Hysa është një emër që në historinë e skenografisë shqiptare nuk lidhet vetëm me zhvillimin historik të saj në vitet që ai krijoi, por edhe me vlerat. Ai është një nga të paktët skenografë që e futi skenografinë në rrugën e zhvillimit bashkëkohor.Ai diti të shkëputej nga kufizimet e kohës, në të cilën ai krijoi dhe të ndihmojë në emancipimin e saj nga pikëpamja e formës dhe vlerave artistike. Ndërkohë që ekspozita, e cila u hap në sallën e Teatrit Kombëtar përmban vizatime dhe grafika të tij. Sipas organizatorëve është një lloj atelieri njëkohësisht për mënyrën se si ai punonte, prandaj dhe vendosja  e tyre është në mënyrë asimetrike.
Të dhëna mbi artistin Shaban Hysa
Lindi më 30 shtator të vitit 1938 në Tiranë dhe vdiq më 28 gusht të vitit 2005, është piktor dhe skenograf i njohur shqiptar. Studimet e mesme i kreu në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë, më 1957. Nga viti 1957- 1961 kreu studimet e larta në Varshavë në Akademinë e Arteve të Bukura, ku diplomohet për piktor-skenograf. Në 1961, pas diplomimit, emërohet skenograf në Teatrin Kombëtar dhe në 1963 kalon në TOB. Që nga viti 1967 punoi si pedagog në Akademinë e Arteve. Aktiviteti krijues i tij shtrihet në të gjitha gjinitë e skenografisë dhe të pikturës, si pjesëmarrës në aktivitete teatrore, por edhe në ekspozita kombëtare, ku është nderuar me mjaft çmime. Punoi me dhjetëra skenografi në Teatrin Popullor, ku veçohen pjesët : Furrnalta, Monserati, Romeo e Zhulieta, Prometeu, Shkallët, Valsi i Titanikut, Vdekja e Dantonit, Rikardi III, Besa, Oportunesku, Tiranozauri, Gjethja, Streha e të harruarve, etj. Mbante titullin Artist i merituar. Në vitet 1961-1963 dhe 1979 deri sa del në pension, më 1999, punon skenograf i Teatrit Kombëtar të Tiranës. Më 1970 themelon Katedrën e Skenografisë, të cilën e drejton për dhjetë vjet. Në repertorin e tij përfshihen me dhjetëra skenografi në TK, në TOB, mbi 20 në teatrot e tjerë të vendit, por edhe skenografitë e spektakleve të Ansamblit dhe festivaleve të para të këngës në RTSH. Ndër majat e krijimtarisë konsiderohen komedia Karnavalet e Korçës, me regji të Kujtim Spahivoglit, në Teatrin e Kombësive të Shkupit, baleti Halili dhe Hajrija me regji të Panajot Kanaçit, më 1979, në TK të Prishtinës, Rikardi III, Oportunesku dhe Vdekja e Dantonit në TK të Tiranës. Ka përpiluar një total prej 300 projektesh skenografie dhe 6.000 kostumesh. Si piktor ka hapur ekspozita në Shqipëri, Austri, Itali, Kosovë, Kinë, Kore, e Turqi. Përveç dy Urdhrave Naim Frashri, është nderuar edhe me titullin Artisti i Merituar, më 1988.
Last Updated on Thursday, 04 June 2009 10:55

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›