Apeli i radhës i mazhorancës: Opozita të votojë ligjet për statusin – mirëpresim sugjerimet
Krahas sqarimit të objektivave të buxhetit të shtetit për vitin 2013-ë, ku në fokus të qeverisë janë rritja e pagave dhe pensioneve, avancimi i projekteve në infrastrukturë dhe mbështetja e agrobiznesit, kryeministri Sali Berisha i bëri apel sërish opozitës që të votojë ligjet me 3/5 me kusht për marrjen e plotë të statusit të vendit kandidat në dhjetor të këtij viti. Sipas tij, mazhoranca është e gatshme të pranojë sugjerimet e opozitës për tre ligjet e mbetura. “Unë i bëj thirrje zotit Rama të votojë 3 ligjet që janë në Parlament dhe ne jemi të gatshëm të pranojmë edhe sugjerimet për to në përputhje me kushtetutën e vendit. Unë besoj se asgjë më të rëndësishme për politikanin sesa mbajtja e asaj që ai e shpall publikisht. Shqiptarëve u erdhi si një muzikë e këndshme në vesh premtimi i Ramës në vjeshtën e 2011 që ai do të votonte të gjitha reformat që janë në interes të integrimit dhe ky ishte një lajm shumë i mirë. Dhe mbi këtë premtim u votua reforma elektorale dhe u bë një ndryshim historik në kushtetutën e vendit. Për herë të parë deputetët votuan për të kufizuar imunitetin e tyre dhe kjo do të shënohet në historinë e parlamenti si një aktet më të rëndësishme. Tani janë tre ligjet për të cilat komisioneri Fyle u shpreh në mënyrën me eksplicite për to. Po kështu edhe sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton e cila bëri apel që të bashkohemi në këtë 100 vjetor për hir të Shqipërisë. Ky 100 vjetor duhet të jetë frymëzues për çdo shqiptar. Është në detyrën e çdo politikani që në interes të vendit, veçanërisht kur kemi të bëjmë me 3 çështje konkrete, ti bashkohemi dhe ti votojmë. Një gjë është i sigurt që me votimin e tyre fiton çdo qytetar shqiptar, të gjitha forcat politike që bëjnë të mundur miratimin e këtyre ligjeve por mbi të gjitha fitojnë qytetarët, fiton vendi. Mesazhi i mos votimit është dëshmia më e hidhur e asaj që në këtë vend procesi i integrimit nuk merret seriozisht dhe në këtë vend procesi i integrimit përdoret për qëllime politike dhe elektorale. Por unë e garantoj Ramën se kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk do të shpërblejnë bllokimin. S’ka zgjedhës më të mençur në botë sesa shqiptarët sepse kanë pasur si eksperiencë vuajtjen dhe ajo i ka bërë të jenë shumë të vëmendshëm dhe të vlerësojnë sa më saktë. Të besosh se do të dëmtosh qeverinë duke bllokuar gabon rëndë dhe e vërteta është se gjuan drejt vetes tënde”- shtoi ai.