E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët bëjnë thirrje që të zgjidhet çështja e të pagjeturve

Në prag të shënimit të 30-Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Familjarët e të Pagjeturve të Kosovës, i bëjnë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që çështja e të pagjeturve në Kosovë të zgjidhet sa më shpejt. Këshilli i Përbashkët Organizativ për shënimin e 30 Gushtit, prezantoi sot disa nga aktivitetet të cilat do të organizohen në këtë ditë nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës.

Aktivitetet që do të përcjellin shënimin e 30 – gushtit, ditës ndërkombëtare për persona të zhdukur, përkojnë edhe me mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 29 gusht. Kryetar i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj, tha se kanë kërkuar që në këtë mbledhje të trajtohet edhe çështja e personave të zhdukur të Kosovës, në mënyrë që të bëhet edhe një trysni ndaj Serbisë për ndriçimin e fatit të tyre.

“Shumë besojmë se edhe më tutje faktorët kryesorë në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur pikërisht janë institucionet serbe, sepse kanë të dhëna dhe informacione dhe derisa nuk kanë trysni apo kushtëzim sigurisht se edhe do të vazhdojnë të mbajnë të fshehur vendndodhjen e varrezave masive për të cilat kemi informacione të shkapërderdhura”, tha ai, transmeton RTK.

Për këtë çështje familjarët e të pagjeturve të Kosovës kanë shkruar një letër, të cilën ia kanë dorëzuar sot kryeministrit të Kosovës, në mënyrë që ajo letër të lexohet më 29 gusht në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në emër të familjarëve të pagjetur, Bajram Çerkini, tha se kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme të Kosovës, e kanë për detyrë të lexojnë letrën e familjarëve, të cilët iu bëjnë thirrje Kombeve të Bashkuara të zgjidhin sa më shpejt çështjen e personave të zhdukur në Kosovë.

“Unë nuk e di se çfarë fuqie kanë Kombet e Bashkuara, por e di se ata duhet të marrin një vendim me iniciativën e kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme të Kosovës, ku të thuhet se me të vërtetë në Kosovë po shkelen të drejtat elementare të njeriut”, tha ai.

Në letrën e familjarëve të personave të zhdukur, ndër të tjera thuhet se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të kalojnë pa u përmendur të pagjeturit.

Kjo është pika kyçe dhe më e ndjeshmja, prej së cilës varet paqja, stabiliteti dhe e ardhmja e rajonit, thuhet në letër.

Ndërkohë, më 29 gusht në Kosovë do të zbulohet pllaka monitor, e cila do të ketë informacione në mënyrë elektrike për të gjithë personat e zhdukur. Gjithashtu do të bëhet edhe zbulimi varrezave të martirëve që kanë qenë të zhdukur në Çabrat të Gjakovës. Ende nuk dihet për fatin e 1 mijë e 730 personave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›