E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmirësohet situata e zjarreve në terren, shuhen të gjitha vatrat

Dhjetë vatra zjarri janë raportuar në territorin e vendit gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka asnjë vatër aktive apo nën mbikëqyrje.

Problematikat më të mëdha janë evidentuar në disa qarqe, ku flakët kanë përfshirë zona me bimësi dhe sipërfaqe pyjore, duke kërkuar angazhimin e strukturave vendore, forcave zjarrfikëse, policisë, shërbimit pyjor, vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura.

Në Qarkun e Gjirokastrës, një prej vatrave ishte në Bularat, në Bashkinë Dropull. Zjarri u shua pas ndërhyrjes së strukturave vendore, policisë dhe Forcave të Armatosura. Në operacion u angazhuan 18 efektivë të MZSH-së me 3 mjete zjarrfikëse, 8 forca bashkiake, 10 forca policore dhe 27 efektivë të Forcave të Armatosura, me 3 mjete dhe një ambulancë.

Në Qarkun e Dibrës, situata u menaxhua në disa zona, ku u shuan vatrat në Lundre–Madhesh, Cerrujë/Mali i Allushit dhe Selishtë. Në operacione morën pjesë forca të MZSH-së, shërbimit pyjor, bashkive dhe vullnetarë.

Në Lezhë, vatra në fshatin Gallatë të Bashkisë Kurbin, e ardhur nga territori i Bashkisë Mat, rezulton e fikur, ndërsa në Elbasan është shuar zjarri në Librazhd Katund, i cili kishte prekur bimësi me pisha.

Edhe në Qarkun e Fierit janë shuar dy vatra zjarri, në Bitaj të Bashkisë Lushnje dhe në Rërës të Bashkisë Patos.

Në total, për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve janë angazhuar 174 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 14 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 27 efektivë, 3 mjete dhe një ambulancë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›