E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmirësohet situata nga zjarret në Evropën Perëndimore, por Greqia përballet me shkatërrim

Ndërsa kriza e zjarreve pyjore po tregon shenja zbutjeje në Evropën Perëndimore, situata mbetet kritike në Greqi, ku erërat e forta me forcë stuhie po ushqejnë vatrat e reja dhe po detyrojnë evakuime masive.

Pas ditëve të tëra luftë me flakët dhe evakuimeve më të mëdha në kohë paqeje, situata në perëndim të kontinentit po shkon drejt stabilizimit. Në Francën jugperëndimore, zjarri masiv në rajonin e Gironde — që dogji një sipërfaqe prej 420 kilometrash katrorë — mbetet i vënë nën kontroll brenda perimetrit, duke u mundësuar rreth 198,000 banorëve të kthehen në shtëpi.

Duke shpjeguar gjendjen në terren, nënkoloneli francez Eric Pitault nënvizoi se “sot, zjarri ende nuk është fikur, por është vënë nën kontroll.”

Ndërkohë, zjarri kryesor në Portugali u shpall zyrtarisht nën kontroll, ndërsa në Spanjë shumica e urdhrave të evakuimit janë hequr, pas ndalimit të përparimit të flakëve.

Greqia në alarm nga erërat e stuhishme

Në anën tjetër të Mesdheut, fokusi i krizës po zhvendoset në Greqi, veçanërisht në zonën bregdetare të Porto Germenos, në veriperëndim të Athinës. Qindra zjarrfikës grekë, të mbështetur nga ekipe të specializuara nga Franca dhe Rumania, si dhe dhjetëra mjete ajrore, po përballen me një terren tejet të vështirë.

Lidhur me pengesat që shkaktojnë kushtet e motit, Ministri i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile i Greqisë, Evangelos Tournas, deklaroi se “erërat shumë të forta deri në ato me forcë të stuhisë vazhdojnë të krijojnë kushte jashtëzakonisht të vështira.”

Shkatërrimi në zonat e prekura ka prekur thellë banorët vendas. Minas Tzortzanis, një fermer 60-vjeçar nga Porto Germeno, përshkroi pasojat e zjarrit mbi mjedisin  si “një pyll i virgjër, një parajsë, iu dorëzua zjarrit. Nuk ka fjalë për të shpjeguar atë që ka ndodhur. Shkatërrim. Shkatërrim total».

Paralelisht me Beotinë dhe Atikën Perëndimore, vatra të reja zjarri shpërthyen edhe në lindje të Nafpaktosit, duke nxitur alarme të reja për evakuim. Ekspertët klimatikë rikujtojnë se Evropa vazhdon të jetë kontinenti që po ngrohet më shpejt në planet, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve masive gjatë muajve të verës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›