E Diel, 1 Nëntor 2026

U konfliktua me të mitur te Pallati i Kulturës, Policia e Tiranës sqaron ngjarjen me turistin Italian

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me video-materialet e publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqet një shtetas italian i dëmtuar fizikisht në kryeqytet. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 29 korrikut 2026, rreth orës 22:00, në zonën pas Pallatit të Kulturës, dhe po hetohet për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Në njoftimin zyrtar sqarohet se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje pas sinjalizimit nga Salla Operative. Shtetasi italian, i identifikuar me inicialet G. M., ka marrë ndihmën e parë nga punonjësit e Policisë Bashkiake që ndodheshin pranë dhe më pas është transportuar në spital.

Attoritetet policore bëjnë me dije se dëmtimet e shtetasit të huaj ishin të lehta.

“Sipas deklarimeve të personelit mjekësor dhe këqyrjes së kartelës mjekësore, ai ka qenë i vetëdijshëm, jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta sipërfaqësore në gjymtyrë. Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është larguar me dëshirën e tij, pa përfunduar ekzaminimet mjekësore dhe pa njoftuar stafin mjekësor për largimin e tij.” njofton policia.

Refuzimi i kallëzimit dhe ecuria e hetimeve

Pavarësisht ndërhyrjes së uniformave të policisë, si i dëmtuari ashtu edhe dy shokët e tij që e shoqëronin nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me hetuesit për zbardhjen e rrethanave apo identifikimin e agresorëve.

Sa i përket qëndrimit të të dëmtuarit, Policia e Tiranës nënvizon:

“Gjithashtu ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallëzim në lidhje me konfliktin dhe personat që e kishin dëmtuar. Edhe dy shtetasit që e shoqëronin nuk kanë dhënë informacion lidhur me rrethanat e konfliktit.”

Pavarësisht mungesës së një kallëzimi zyrtar, grupi hetimor ka vijuar punën kryesisht. Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, ka rezultuar se shtetasi italian ishte përfshirë në një konflikt fizik me një grup të miturish në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës. Hetimet po vijojnë për identifikimin e plotë të personave të përfshirë dhe zbardhjen e shkaqeve të incidentit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›