E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përpara cenzurës

Kushdo që ka punuar para viteve '90 në fazën e fundit të filmit, e njeh nga afër emocionin e krijuesit kryesor, regjisorit, para spektatorit të parë, por mbase më shumë, para miratimit të parë politik.

Unë kam patur fatin të punoj me Viktor Gjikën edhe në dy nga filmat e tij: "Përballimi" (1975) dhe Gjeneral Gramafoni" (1978), që ndryshojnë shumë mes tyre nga tema, por i bashkon vula e mjeshtërisë regjisoriale.


Të dy këta filma të bukur kanë kërkuar dhe shumë energji krijuese për të kapërcyer pengëzat e cenzurës, ndonëse të dy mbështeten mbi të vërteta historike, por që politika e kohës kur u realizuan, tentonte t'i deformonte e t'i keqpërdorte...


Për të gjithë ata që nuk e dinë, do desha të them se filmi "Gjeneral gramafoni", ashtu siç e kishte menduar Viktor Gjika, nuk mbaronte me një stop-kamera të flamurit shqiptar që valavitet mbi kokat e protestuesve të Kuçovës.

Në kopjen e punës, pas një plani të afërt të rrëmujës së protestës, montohej një plan gati detaj i kokës së Bujar Lakos, që hapej shumë ngadalë dhe shoqërohej nga një kaba shumë e bukur, e papërdorur deri atëhere në film.

Zhurmat e protestës shuheshin pak nga pak, duke ia lënë gjithë kolonën zanore kabasë, ndërsa plani i Bujarit që i binte klarinetës vazhdonte të hapej, i pandërprerë (ishte një plan shumë i gjatë, që duhej ta kish lodhur shumë regjisorin dhe gjithë grupin e xhirimit) deri sa përfundonte me një pamje të përgjithshme nga lart, shumë të hapur, ku dukej Bujari që vazhdonte t'i binte klarinetës ulur në mes të sheshit në të cilin deri atëhere ishte zhvilluar protesta, por që tani kishte mbetur krejt i zbrazët, ndërsa në tokë dukeshin të shpërndara aty-këtu mbeturinat e pas-protestës.

Pikërisht këtu mbaronte filmi.
Ishte një plan që të ngjallte shumë emocione e të nxirrte nga kinemaja me kënaqësinë e të shijuarit të diçkaje të bukur, të harmonishme nga fillimi deri në fund.


Plani i mbylljes të jepte dhe një befasi se dukej sikur fillonte me rrëmujën e protestës dhe mbaronte me një zbrazëti që e shoqëruar nga kabaja e bukur, të bënte ta kuptoje si të ta thoshte shpirti yt.

Cenzorët nuk e donin, jo se nuk e pëlqyen, ata ishin të pandjeshëm ndaj kësaj kategorie, por e quajtën "mbyllje pesimiste" dhe nuk mund të pranonin që në fund të filmit artisti të mbetej vetëm...

Kur i mendoj disa gjëra tani, kujtoj se shumë herë në atë kohë e kanë pësuar pikërisht mbylljet e filmave, që duhej të ishin medomos optimiste, në asnjë mënyrë të mos i çelnin rrugë një mendimi, por të vinin një vulë, një pikë apo edhe pikçuditëse.

Kjo nuk ishte vetëm për punë politike, se mund të keqkuptohej ndonjë gjë ose diçka mund të interpretohej politikisht apo historikisht: në të shumtën e rasteve kishte shkaqe ideologjike, të kritereve bazë të një vepre të realizmit socialist, një nga të cilat ishte optimizmi me çdo kusht: filmi duhej të mbyllej me një fytyrë të qeshur, me një flamur apo me një grusht të ngritur, kjo ka pak rëndësi...

Nga ana tjetër, fundi i një filmi trajtohej për anën regjisoriale si diçka teknike, pa asnjë pasojë: e shkurton dhe kaq.

Dhe të mendosh se Viktori ia kishte hedhur mjaft herë cenzurës. Kështu, tek "Përballimi", njerëzit që erdhën atëhere nga Komiteti Qendror i Partisë për të miratuar filmin nuk arritën të parashikonin sa do t'i ngjisnin shikuesit dialogjet e vëna në gojën e personazheve negative "Gërmo, Tare, gërmo..." (Kadri Roshi), "Ha, bir ha, më mirë ti, se ata" (Jani Riza", ose "Thesin, aga..." (Antoneta Papapavli). Po të kishin mundur ta bënin këtë, do t'i kishin kërkuar Viktorit "të ndryshonte" Kadri Roshin (ata ishin në gjendje të bënin çdo lloj kërkese, sado e marrë të duket sot), ose thjesht mund të kishin kërkuar shkurtimin e episodit apo cungimin e personazhit, përmes asaj që i thoshin "qethje".


Dhe "qethja" nganjëherë kërkohej jo për të rregulluar ndonjë gjë që konsiderohej gabim, por thjesht nga frika e simpatisë që mund të ngjallte dikush ose diçka e llogaritur për t'u urryer.


Pjesë nga artikulli "Pengu i Gjikës si pengu i Viskontit?" botuar në "Shekulli" në shtator 2008

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›