E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për urbanistikën, LSI bashkon votat me PD

Ulet taksa për investitorët. Kundërshton PS: Është pazar për disa projekte, për efekte elektorale

TIRANË- Njësitë e qeverisjes vendore do të kenë në dispozicion një burim financiar më pak për të mbushur buxhetet e tyre.

Mazhoranca ka miratuar dje në Komisionin e Ligjeve, me votën edhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, (pjesa tjetër e opozitës u shpreh kundra), një ndryshim në ligjin për urbanistikën, nëpërmjet të cilit ul me gati 9 herë taksën që investitorët duhet t'u paguajnë njësive të qeverisjes vendore për bërjen e studimit urbanistik.

Kështu, një kompani që është duke investuar apo do të investojë në të ardhmen, tashmë do të paguajë vetëm 0.1 për qind të vlerës totale të investimit të tyre, përpara se të marrë lejen e ndërtimit të objektit, nga 1 për qind që ajo është aktualisht.

Drafti


Projektligji që ka marrë pëlqimin e shumicës qeverisëse, parashikon që për projektet e infrastrukturës, për ndërtimin e rrugëve kombëtare, të porteve, aeroporteve, tuneleve, digave, ndërtimit të infrastrukturës në energji, përfshi makineritë dhe pajisjet për projektet, përpara marrjes së dokumentit të lejes së ndërtimit, kompanitë duhet të paguajnë 0.1 për qind të vlerës së investimit, që depozitohet në llogari të financimit të studimeve urbanistike të pushtetit vendor.


Megjithatë, kjo zbritje nuk do të jetë asnjëherë më e vogël se vlera e nevojshme për të financuar studimet, që pushteti vendor duhet të bëjë për këto investime të infrastrukturës.


Pikërisht ky ndryshim ka provokuar jo pak debate mes deputetëve të shumicës qeverisëse dhe opozitës, të cilat kanë bërë vlerësime të ndryshme për nismën që i paraqitet Kuvendit për miratim.


Ndërkohë që, në relacionin shoqërues, Ministria e Ekonomisë shpjegon se vitet e fundit qeveria ka autorizuar ndërtimin e projekteve të infrastrukturës, siç janë hidrocentralet, rrugët apo tunelet, për të cilat aplikimi i tarifave të tilla prej 1 për qind, ka sjellë një detyrim të konsiderueshëm financiar për sipërmarrësit apo investitorët, pasi bëhet fjalë për investime në shuma të mëdha dhe, për rrjedhojë, do të kalonte çdo lloj studimi urbanistik që mund të duhej në këto zona.

Për këtë arsye, është parë e arsyeshme që të propozohet reduktimi i kësaj takse në masën e 0.1 për qindëshit.



Debati

Opozita, duke iu referuar edhe relacionit shoqërues, e ka parë këtë ndërhyrje në ligj si një pazar që qeveria kërkon të bëjë me kompani, të cilave kohët e fundit u ka dhënë në koncension objekte me rëndësi të veçantë, siç është rasti i koncensionit për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll.

Sipas ish-prefektit, deputetit socialist, Besnik Dervishi, i cili foli edhe në emër të opozitës, nisma do të sjellë një reduktim të ndjeshëm të të ardhurave për pushtetin lokal. "Ky është një tjetër projekt që shkon në të njëjtën rrugë, që ul financat e qeverisjes vendore dhe, aq më tepër, në fusha të caktuara ku ne po shkojmë në kahe të kundërta", - u shpreh Dervishi.


Akoma më i ashpër në qëndrimin e vet ka qenë nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili nuk ka nguruar ta cilësojë këtë nismë edhe si një pazar që qeveria apo individë të veçantë kërkojnë të bëjnë me kompani të caktuara, që kërkojnë të investojnë në vendin tonë.

"Është një pazar për disa projekte, të cilat ju keni ndërmend që, për 100 arsye, dhe mbi të gjitha për arsye pazari, t'u jepni një shans që, një masë lekësh prej 0.9 për qindësh, ta hiqni dhe ta çoni diku tjetër.


Mund të jetë për ta futur në xhepat e dikujt, mund të jetë për qëllime elektorale dhe, në ditët që do vijnë, me siguri do të dëgjojmë ndonjë nga ato historitë që kemi dëgjuar shpesh këto kohët e fundit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›