E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjobëvënësit" e bankierit të regjistruar me certifikatë false

BANKA

Kontrollet e kryera në një prej kompanive të telefonisë së lëvizshme kanë zbuluar "bllofin" e kërcënuesve të egjiptianit

Prokuroria delegon dosjen në zyrën e Antiterrorit të Tiranës për zbulimin e autorëve të mundshëm të ngjarjes

TIRANË- Dy numrat nga të cilët është dërguar sms-ja kërcënuese dhe gjobëvënëse e drejtorit egjiptian të një banke të huaj në vend, janë regjistruar me certifikata false. Hetuesit e Krimeve të Rënda në kryeqytet, kanë zbardhur se dy numrat e telefonisë së lëvizshme nga të cilat janë dërguar mesazhe kërcënuese bashkëshortes së njërit prej drejtorëve ekzekutivë të një banke të huaj me aktivitet në Shqipëri.

Në to i kërkohej pagimi në formë "gjobe"i 85 mijë euro. Sipas burimeve pranë këtij institucioni, mësohet se të dy numrat e përdorura nga "gjobëvënësit" për kërcënim ndaj familjes së drejtorit ekzekutiv të një banke private në Tiranë, egjiptianin E. Saad, figurojnë të regjistruar në kompanitë e telefonive lëvizëse me certifikata të falsifikuara.

"Me zbardhjen e pronësisë së këtyre dy numrave nga të cilët i janë dërguar mesazhe kërcënuese bashkëshortes së drejtorit egjiptian, shtetases A. R. Saad, ka rezultuar se janë regjistruar me certifikata të lindjes të falsifikuara.

Të dy këto numra, figurojnë të blerë brenda një afati një mujor, dhe janë përdorur vetëm ditën e dërgimit të kërcënimeve ndaj familjes së egjiptianit Saad. Me anë të dy sms-ve, (mesazheve me tekst) "gjobëvënësit" i kanë kërkuar egjiptianit Saad, t'iu paguajë 85 mijë euro, në të kundërtën do ia vrisnin vajzën e vogël dhe bashkëshorten", -thuhet nga burimet e akuzës.


Sipas këtyre burimeve, asnjë nga emrat që figuronin në certifikatën e lindjes nuk janë të vërtetë dhe nuk rezultonin në ndonjë nga gjendjet civile në vend.


Pas verifikimit të këtyre dy numrave të telefonit, Prokuroria e Krimeve të Rënda në pamundësi për të kryer operacionin për dorëzim të kontrolluar ia ka kaluar dosjen policisë së kryeqytetit për vazhdimin e hetimit në rrugë operative.


"Procedimi Penal i regjistruar pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për krimin e "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie", i ka kaluar efektivëve të zyrës së Antiterrorit pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës për zbulimin e përdoruesve të këtyre dy numrave telefonikë",- thuhet nga burimet e prokurorisë.

Në delegimin e dosjes për veprime, i është kërkuar policisë të zbulojnë autorin e SMS-ve. Ndërkaq mësohet se një grup i njësisë së vëzhgimit dhe operacioneve speciale, të policisë së Tiranës, ka marrë nën mbikëqyrje familjen e kërcënuar për të shmangur ndonjë rrezik ndaj saj.

Sipas këtyre burimeve, mësohet se familja Saad jeton dhe banon prej vitesh në rrugën "Muhamet Gjollesha" pranë stadiumit "Selman Stermasi", në kryeqytet, që kur bankieri E. Saad u emërua në krye të bankës së njohur në vendin tonë.

Sipas burimeve nga policia, mësohet se në numrin e bashkëshortes së drejtorit ekzekutiv, shtetases A. R. Saad janë dërguar tri mesazhe elektronike të shkrura me telefon, nga "gjobëvënësit".


Në to kërkohet që bashkëshorti i saj E. Saad të paguajë 85 mijë euro. Në të kundërtën, do t'i vrisnin vajzën e vogël dhe do të dhunonin bashkëshorten.

Menjëherë pas marrjes së këtyre kërcënimeve, vetë i kërcënuari Saad, që kryente rolin e drejtorit ekzekutiv të një banke, ka denoncuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, "gjobën e majme".

Po kështu, sipas tij, nëpërmjet saj i rrezikohej edhe jeta e familjes së tij. Sms- të kërcënuese, kanë mbërritur numrin e telefonit të bashkëshortes së egjiptianit, rreth orës 15:00 të një jave më parë.

Tri sms-të, sipas kallëzimit, kanë mbërritur brenda një afati 15 minutash nga njëri tjetri, duke shkaktuar panik në familjen e kërcënuar. Pas konsultimeve të arabit, me përfaqësuesit e ambasadës së Egjiptit në vendit tonë, është vendosur denoncimi i kërcënimeve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›