Përpjekja e dështuar për të ndryshuar RamënNga Andi BushatiMbledhja e djeshme e Asamblesë së socialistëve tregoi dy gjëra: së pari se Edi Rama as që nuk e mendon të largohet nga kreu i Partisë Socialiste, edhe pasi ka humbur zgjedhjet, ashtu sikurse
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Përpjekja e dështuar për të ndryshuar RamënNga Andi BushatiMbledhja e djeshme e Asamblesë së socialistëve tregoi dy gjëra: së pari se Edi Rama as që nuk e mendon të largohet nga kreu i Partisë Socialiste, edhe pasi ka humbur zgjedhjet, ashtu sikurse kishte premtuar para fillimit të fushatës elektorale.
Por ajo shoi gjithashtu edhe shpresat e të gjithë atyre të majtëve që pas humbjes shokuese të 28 qershorit në mënyrë naive kishin filluar të imagjinonin një PS sërish me në krye Ramën, por me një Ramë tashmë të burrëruar, të çliruar nga makthet, të zhveshur nga zemërdridhjet se mund t’i ndodhte më e keqja, pra humbja elektorale.
E gjithë kjo kategori të majtësh të mirë e të sinqertë, që prej më shumë se gjysmë shekulli janë të prirur t’ia falin udhëheqësit fajet, vetëm e vetëm që ai të vazhdojë të qëndrojë në krye, patën filluar ditët e fundit të vizatonin portretin e një kryeopozitari ndryshe.
Sipas tyre Rama mund të vazhdonte ta drejtonte PS, por ai duhet të ndryshonte. Duhej t’i hidhte pas shpinës tezat e përtej kampeve, politikën e re, mospërballjen me kundërshtarët etj. Ai, pra, po i njëjti njeri, mund të vazhdonte të kryente rolin e liderit të së majtës, por të bëhej më burrëror, më i fortë, të mos fliste si qytetar, por si politikan, si i tillë të ndeshej, të përballej, të pranonte përgjegjësi, e t’i jepte fund politikës së një lideri që hedh gurin e fsheh dorën.
Ndoshta në këtë dëshirë naive për ta parë njeriun e zemrës të ndryshuar nuk ka asgjë të keqe. Jo rrallë herë politika shqiptare, në mungesë liderësh të formuar e karizmatikë, ka besuar në transformimin e plotë të të njëjtëve persona. Dhe ndonëse ky eksperiment ka pak gjasë të dalë i suksesshëm, të vazhdosh të shpresosh, mbetet gjithsesi pozitive.
Por, në mbledhjen e djeshme, Edi Rama e shoi edhe këtë shpresë të porsalindur. Edhe dje ai u soll si po i njëjti humbës i para 28 qershorit. Me frikën për të folur. Me pavendosmërinë për t’u përballur. Me të njëjtën dëshirë për të mos qenë transparent. Me të njëjtin besim të verbër se suksesi arrihet përmes kulisave dhe jo përmes shkëmbimit të hapur të ideve.
Të gjithë ata që kanë shpresuar dje të dëgjojnë live se ç’mendon Partia Socialiste për humbjen e zgjedhjeve, kanë mbetur të zhgënjyer. Të gjithë ata që kanë pritur të dëgjojnë nga goja e Edi Ramës përse-të e dështimit, e kanë pasur të kotë.
Dje, ashtu si në 4 vite opozitë më Berishën, njerëzit janë munduar të kuptojnë se ç’mendon lideri i opozitës, përmes recitimit të papagajve të politikës së re. Edi Rama ka refuzuar në mënyrë absurde ftesën e kolegut të tij rival, Ben Blushi, për t’iu përgjigjur politikisht asaj që ka ndodhur. Ai edhe njëherë është fshehur pas procedurave partiake, pa guxuar të përballet me realitetin dhe të vërtetën.
Edhe njëherë, dje, Edi Rama, i ka zhgënjyer ata që kërkuan të besojnë tek ai, me shpresën për ta ruajtur, duke e ndryshuar. Edhe njëherë ai ka rihedhur mbi vete dyshimin se nuk është lideri që duhet për fronin hijerëndë të Partisë Socialiste, por njeriu që do vetëm të fshihet dhe të përfitojë prej saj.
Dhe në mënyrën e tij, Edi Rama edhe dje ka përfituar. Madje personalisht ka korrur një fitore. Ai i ka hapur rrugë një procedure, me sa më pak zhurmë, sa më pak debat, sa më pak reflektim, që do ta çojë atë drejt zaptimit të kreut të PS, duke u munduar të margjinalizojë të gjithë ata zëra që tashmë e kanë kuptuar se çdo fitore e Ramës rrezikon të jetë një humbje për të majtën.