Braçe: Asambleja do të miratojë rezolutë për zgjedhjet
Asambleja e Partisë Socialiste do të miratojë rezolutën që do t'i serviret më pas kongresit të partisë. Kongresi do të mbahet para mbledhjes së Kuvendit të ri.
TIRANË - Asambleja e Partisë Socialiste, e cila do të mblidhet nesër në kryeqytet, pritet të marrë vendimet më të rëndësishme, që nga dita e zgjedhjeve. Një rezolutë e veçantë, e cila pothuajse është përgatitur nga kryetari Rama, do të votohet mes 160 anëtarëve, që përfaqësojnë pothuajse të gjitha forumet e partisë. Pas kësaj etape do të kryhet edhe certifikimi në kongres, por e gjitha kjo përpara datës tre shtator, kur mblidhet Parlamenti.
Anëtari i kryesisë socialiste, Erjon Braçe, pohoi dje se qëllimi kryesor i asamblesë është mbajtja e një qëndrimi zyrtar dhe përfundimtar për zgjedhjet e 28 qershorit. "Në asamble do të bëhet një analizë e hollësishme për zgjedhjet. Kryesorja është qëndrimi personal i kryetarit Rama dhe më pas do të marrin fjalën njerëzit që kanë bërë analizën e votës.
Në përfundim, asambleja socialiste do të paraqesë edhe rezolutën zyrtare",- tha dje Braçe. Ndërkohë, burimet zyrtare të selisë rozë shpjeguan se kryetari Rama ka përgatitur qëndrimin e tij personal dhe do t'ua bëjë të ditur të gjithë anëtarëve të asamblesë.
Pas kësaj do të vijë radha e kongresit, i cili do të marrë vendimin përfundimtar për atë që do të bëjë Partia Socialiste. "Kongresi duhet thërritur përpara mbledhjes së Parlamentit. Ai do të certifikojë qëndrimin zyrtar të PS-së, si dhe do diskutojë çështjen e kryetarit",- thanë burimet zyrtare të PS-së.
Ndërkohë, Braçe komentoi edhe çështjen e disa prej anëtarëve të asamblesë që kanë pohuar se nuk kanë marrë ende ftesën. "Ne jemi marrë një nga një në telefon dhe jemi njoftuar për mbledhjen e asamblesë. Është e turpshme që të thuash se nuk të kanë njoftuar. Ose ka nga ata që kanë dhënë dorëheqjen nga çdo strukturë e partisë dhe tani thonë që nuk janë njoftuar",- tha Braçe.
Sipas burimeve zyrtare të PS-së, në asamble do të jenë të gjithë deputetët aktualë, si dhe të gjithë deputetët e zgjedhur më 28 qershor. Tashmë ata janë certifikuar nga KQZ-ja dhe automatikisht bëhen pjesë e asamblesë. Ky është një parim i PS-së dhe nuk ka nevojë që të bëhen zgjedhje për ta. "Por problemi është me deputetët e vjetër.
Atyre u mbaron mandati më tre shtator, kur mblidhet Parlamenti i ri. Në këtë moment ata nuk janë më pjesë e asamblesë dhe nuk është normale që këta njerëz të marrin vendime për qëndrimin e PS-së.
Ata nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje, nuk kanë marrë pjesë në fushatë, nuk dinë se çfarë ka ndodhur dhe në këtë pikë nuk mund të japin mendim për këtë gjë. Ata nuk mund të gjykojnë vendimin e deputetëve të rinj për të njohur apo jo Parlamentin, në një kohë kur është mohuar rinumërimi i votave në tre qarqe",- thanë burimet e PS-së.