Përplaset nga treni, vdekje klinike për 16-vjeçarin
Treni ka aksidentuar rëndë një 16-vjeçar dje paradite, duke i shkaktuar vdekje klinike. Genc Skrashi nga Paskuqani ka qenë duke kaluar shinat e trenit dhe nuk ka vënë re trenin që është afruar me shpejtësi. Si pasojë 16-vjeçari është plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur në Tiranë, në vendin e quajtur "Ura e Treshit", kur adoleshenti ka qenë duke kaluar mbi shina, por nuk ka vënë re se treni ishte duke kaluar. Uniformat blu të Komisariatit numër 5, të cilat janë duke hetuar, shpjeguan se ngjarja mund të ketë qenë aksidentale. Makinisti është shoqëruar në polici, ku ka dhënë deklarimet e tij, ndërsa më pas është lënë në gjendje të lirë. Sipas burimeve nga policia, ngjarja e rëndë ka ndodhur dje, rreth orës 06:30 të mëngjesit. Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur hetimet, ndërsa 16-vjeçari është dërguar në Spitalin Ushtarak. Për këtë ngjarje janë marrë në pyetje disa dëshmitarë, si dhe makinisti. Ky i fundit, pas deklarimeve të tij, është lënë i lirë nga policia e kryeqytetit. Sipas burimeve policore, ai ka deklaruar se i riu i ka dalë përpara shinave në momentin që ka qenë duke kaluar, ndërkohë që nuk ka pasur mundësi që të frenonte në kohë. Policia e kryeqytetit nuk ka marrë asnjë person nën hetim, ndërsa po punon për të zbardhur të plotë ngjarjen. Dyshohet se ngjarja mund të ketë qenë aksidentale.