Pranga, qëlloi me armë një makinë pas sherrit
Një 25-vjeçar është arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi ka qëlluar me armë makinën e një personi, pasi kishte bërë sherr me të. Këto janë dyshimet e para për Dritan Qokun, i prangosur nga shërbimet e Komisariatit nr. 5, ndërkohë që vazhdon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Burimet zyrtare nga policia bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së dielës. Rreth orës 23:00, në Paskuqan, është qëlluar me armë zjarri "Shotgun" në drejtim të makinës "Fiat", me targë TR 5695 S, që rezulton në pronësi të shtetasit Bari Alla, 33 vjeç. Nga kjo janë thyer xhamat e mjetit, ndërkohë që pronari i mjetit ka njoftuar policinë. Shërbimet policore, të mbërritura në vendin e ngjarjes, kanë nisur hetimet për këtë rast dhe kanë identifikuar si të dyshuar të saj, 25-vjeçarin Qoku, të cilit i është bllokuar edhe arma e krimit. Sipas policisë, një konflikt mes tyre, ka sjellë reagimin kriminal të 25-vjeçarit.