E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plasaritje...

Shumëkush mund të habitet e të thotë: "Ç'na duhet plasaritja ne si temë e si problem kur kemi kaq e aq çështje të tjera më imediate e të shumë të rëndësishme, si papunësia, korrupsioni, reformat pa fillim e pa mbarim etj.?"... Por plasaritja, me ç'duket nuk na qenka vetëm "halli" i materialeve, lëndëve, sendeve dhe objekteve pa jetë e shpirt. Shembujt tregojnë se ekzistoka dhe në shoqërinë tonë, me shfaqje, shkaqe, arsye, nga më të shumtit e deri të paimagjinueshëm. Të thuhet shkoqur, s'kemi pse mos e pranojmë që "sindroma" e plasaritjes është sëmundje dhe në shoqërinë tonë, në jetën sociale, ekonomike dhe politike të saj, që përpiqet të ngjitet në shkallët e tranzicionit (një Zot e di se sa shkallare paska pasur ky "tranzicioni"). Madje vende-vende, hapësirat mes plasave kthehen në humnera mes njëra-tjetrës.
Mëkat t'i vihet faj natyrës dhe vendit, pozicionit gjeografik, gjeostrategjik dhe gjeopolitik ku ndodhemi, për këto siklete të "plasaritjeve". Natyrë e bukur na ka rënë për hise. E shikon nga lart, vend i lidhur, det, male, kodra dhe fusha që shkrihen me lezet me njëra-tjetrën. Vetëm fushat, aty ku mund të konsiderohen si të tilla, të shqetësojnë pak, sikur të kujtojnë plasaritjet. Qindra e mijëra rripa toke të ngushtë, dhe fare të ngushtë, me forma nga më të abstraktet, të nxisin të mendosh se edhe "pronarët' e tyre duhet të kenë shumë "plasaritje" mes tyre. Uron mos kenë e mos paçin! Por shenjat flasin për të kundërtën. Se ndryshe, po të qenë të mirëkuptuar, të lidhur e bashkëpunues me njëri-tjetrin, me demek të kishin "prodhuar" fermerët në kuptimin e plotë të fjalës, do kishim pllaja të tëra shumëhektarëshe njëngjyrëshe si ka bota. Dhe jo rripëza. Po le të mos merremi me to se vete shumë gjatë...
Po në zonat urbane s'duhet të ketë shumë "plasaritje", të thotë dëshira. Mirëpo... shih e shkruaj. Kundro dhe konkludo. Faktet janë kokëforta. Më tregonte një mik i huaj, që kish asistuar në një sherr mes dy shitësve me dyqanet ngjitur këtu në Tiranë. "U rrahën me shkopinjtë e fshesave,- tha,- dhe e di pse?! Për hiçgjë! Ndodhi teksa pastronin "sinorin-trotuar" të përbashkët para dyqaneve të tyre të ndryshëm që shisnin mallra të njëjtë. Shkaku sipërfaqësor? Meqë uji i pastrimit "të sinorit-trotuar" të njërës, hyri paksa në pjesën e tjetrës... Dhe qeshte miku i huaj. Kish' të drejtë. Hajde fol pastaj për kooperime, ortakërira, bashkëpunime, që janë të domosdoshme në një vend të plasaritur si yni.
Mos flitet pastaj për "plasaritjet" pafund mes njerëzve me shkak mentalitetet, padijen, smirat, injorimin dhe anashkalimin e traditave të mira, mungesën e rolit të fesë (se mund t'i përkasësh një besimi të caktuar në sipërfaqe vetëm nga emri, por puna është a je besimtar?!), individualizmat e theksuar më tipike ballkanike. Personalisht, kam bindjen e patundur se ne jemi banorët më vjetër në Ballkan dhe shumë autoktonë, pikërisht se ne kemi tiparet më tipike ballkanike.
Nuk i shpëton as politika kësaj "sindromës së plasaritjes". Madje, vazhdon ca më e theksuar. Janë mbushur stacionet televizive me qindra njerëz të vjetër, të moshës së mesme e të rinj që flasin, japin mend, në qindra konferenca shtypi. Kallaballëk i madh konferencë-shtypsash. Sa shumë njerëz që duan pushtet në këtë vend kaq të vogël e të varfër!... Mbi "sindromin e plasaritjes" sociale pastaj, lulëzojnë klanet, "lidhjet malinje", nepotizmat e plot lidhje të tjera, që nuk kanë fare "plasa"... "Mikrob" i madh lind dhe i shumëllojshëm lind kur ka shumë plasaritje... Mos ardhtë dita që tre milionë shqiptarë sa jemi, të kemi tri milionë parti, dhe kuptohet... tre milionë kryetarë...!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›