E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasja për draftet, ku ndryshon dokumenti i KiE-së me atë të ambasadorëve

Strasburgu u lë në dorë PD-PS detajet e komisionit. Diplomatët i përcaktojnë qartë

Mazhoranca dhe opozita, sërish beteja për draftet, edhe pse ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, u ka bërë thirrje palëve që ta pranojnë materialin pa hyrë në çështje teknike. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar menjëherë pas kthimit nga Kroacia se nuk njihte draft të ardhur nga ndërkombëtarët, duke deklaruar se ai kërkon që, në negociatat që pritet të nisin së shpejti me opozitën, të kërkojë sërish miratimin e draftit që ka propozuar më 22 shkurt Presidenca e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ndërkohë, pak më parë, lideri i opozitës, Edi Rama, ka bërë të ditur se socialistët kërkojnë të diskutohet drafti i paraqitur nga diplomatët ndërkombëtarë dhe asnjë dokument tjetër. Po ku ndryshojnë këto drafte dhe çfarë kërkojnë ato? Të dyja kërkojnë transparencë, por ndryshimi ekziston te prioritetet dhe theksimet.

Këshilli i Europës

Më 22 shkurt, pas një serie bisedimesh të pasuksesshme të zhvilluara në Tiranë, delegacioni i drejtuar nga kreu turk i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Mevlud çaushogvlu, miratoi një deklaratë, e cila në thelb kërkon ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, por në substancë ky dokument i jep më shumë rëndësi përgatitjes së amendamenteve për zgjedhjet e ardhshme, sesa bërjes së transparencës. Në paragrafin e parë të kësaj deklarate theksohet se duhet “krijimi pa vonesa të tjera i një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, i kryesuar nga një përfaqësues i opozitës dhe në të cilin opozita të ketë një shumicë efektive”. Por menjëherë më pas jepet pjesa që e ka bërë atë të diskutueshëm, që nuk është pëlqyer nga opozita: “Ky komision hetimor duhet të përgatisë amendamentet për Kodin Elektoral në përputhje me rekomandimet e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit dhe të Rezolutës 1709”. Ndërkaq, deklarata e përbashkët e KiE-së nuk jep asnjë detaj në lidhje me objektin e komisionit hetimor parlamentar, por e lë atë në dorë të vullnetit të palëve në Shqipëri, të cilët që prej asaj kohe jo vetëm që nuk janë dakord, por konflikti është thelluar së tepërmi, duke marrë përmasa dramatike. Në dokumentin e KiE-së theksohet se, “lidhur me termat e referencës të komisionit parlamentar, delegacioni i APKE-së vë re se të dyja palët bien dakord që kjo duhet të trajtohet brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë”.

Ambasadorët

Në ndryshim me deklaratën e Presidencës së KiE-së, drafti i përgatitur nga diplomatët perëndimorë në Tiranë, i cili është dorëzuar në shtabet e mazhorancës dhe opozitës, është më i detajuar dhe i jep një përgjigje më të prerë asaj që nuk i ka dhënë dokumenti i Strasburgut. Kështu, ndërsa në pikën 1 dhe 2 drafti i diplomatëve flet për krijimin e komisionit hetimor parlamentar nën drejtimin e opozitës, që është pranuar edhe nga Këshilli i Europës, në pikën 3 shkon më në detaje, në mënyrë të qartë, që “komisioni hetimor parlamentar të ketë fuqi të hapë kutitë e materialeve zgjedhore”. Pika 4 është një sqarim më i detajuar i pikës 3, kur përcakton se ç’janë këto materiale: “Komisioni hetimor parlamentar të hetojë materialet zgjedhore (të gjitha materialet që ndodhen në kutitë e votimit, me përjashtim të fletëve të votimit)”. Në fakt, këto përbëjnë edhe një pjesë të kërkesave kryesore që opozita ka kërkuar nga mazhoranca, edhe pse në fazën e parë ka pasur kërkesa më maksimale. Në një deklaratë të tijën në Parlament, dy muaj më parë, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i bëri thirrje Kryeministrit Berisha të hapë vetëm kutitë e materialeve zgjedhore. Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi dy ditë më parë se ende nuk është shpërndarë ndonjë draft si në tryezën e tij, ashtu edhe në atë të krerëve politikë në vend. Megjithatë, kreu i qeverisë deklaroi se “ky është një vend i lirë dhe ka të gjitha mekanizmat për transparencë të plotë të çdo dokumenti që ekziston në arkivat më sekrete të tij. Dhe kur vjen problemi këtu, opozita ka të drejtat e saj të pamohueshme, mjafton që ajo të respektojë rregullat dhe ligjet e vendit”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›