Kryeministri: Shitja e Dajtit te BSH shmang prishjen e hotelit
Kryeministri i vendit sqaroi dje vendimin e pak ditëve më parë për shitjen e hotel “Dajtit” për 30 milionë euro të Banka e Shqipërisë. Për herë të parë Berisha komentoi vendimin që i surprizoi të gjithë, duke e cilësuar një akt të ligjshëm. Pyetja për shitjen e “Dajtit” u bë duke e lidhur me shtyrjen e eurobondit, por Berisha e rrëzoi. “Banka e Shtetit kishte nevojë të zgjerohej. Fillimisht, siç edhe e dini, unë kam qenë për t’ia dhënë Ministrisë së Jashtme. Por Ministria e Jashtme e gjykoi ta prishte për ta zgjeruar për shkak të hapësirave, rreth 1000 metra më të madhe, apo diçka të kësaj natyre. Që ta prishja hotel “Dajtin” dhe të ndërtoja një Ministri të Jashtme, të jem i sinqertë, nuk e kisha planifikuar”, iu përgjigj Kryeministri pyetjes së gazetarit të “Top Channel”. Pak orë më pas reagon edhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke e cilësuar shitjen e hotel “Dajtit” si manovër në mungesë të fondeve në buxhet. Në konferencën për shtyp, Rama tha para gazetarëve se, veprimi për shitjen me vlerë prej 30 milionë eurosh u bë pasi qeverisë i ka shteruar likuiditeti në arkën e saj.
Sa u takon qëndrimeve nga ana e BSH-së, “Shqip” publikoi dje reagimin e bankës, e cila e vlerësonte shitjen si një operacion të suksesshëm.
Duke vijuar me përgjigjen, kreu i qeverisë u ndal edhe te çështja e eurobondit, duke pranuar se shtyrja e emetimit ishte e pashmangshme.
“çdo qeveri në Europë e ka shtyrë procesin, edhe ato që janë 2 A. Madje pati prej tyre që, kur borxhi grek u shpall junk status, u çuan fjalë ndërmjetësve që po tërhiqeshin. Ne nuk u tërhoqëm”, tha Kryeministri. Tashmë që u arrit marrëveshja mes FMN-së dhe BE për të financuar borxhin grek me 110 miliardë euro, duket se tregjet kanë rënë në qetësi dhe janë gati të nisin operacionet, ndërsa qeveria shqiptare pret momentin e duhur të hedhjes së borxhit 400 milionë euro në bursat e BE-së.
#