Përplasje me policinë në protestën në Tiranë e Elbasan, digjen koshat në ish-sheshin “Shqiponja”

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Opozita dhe mbështetësit e saj paralizuan mbrëmjen e sotme për rreth 3 orë qarkullimin e mjeteve në akset kryesore në vend.
Situatë e tensionuar u paraqit në ish-sheshin “Shqiponja”, ku Sekretari i Përgjithshëm dhe deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe deputetja e PD-së Albana Vokshi u përplasën me policët.
Noka kërkoi të çante kordonin e policisë për të biseduar me drejtuesit e lartë të saj, gjë që nuk u lejua nga forcat e policisë që ndodheshin në ish-sheshin Shqiponja.
Protestuesit i kanë vënë zjarrin dy koshave të mbeturinave, si dhe disa gomave. Punonjësit e Policisë kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, paralajmëroi sërish policinë që të mos vazhdojë provokimet ndaj protestuesve paqësorë.
“Akti i revoltës së mosbindjes civile është i gjithi paqësor. Ja ku e keni fytyrën e policisë sot nuk është fytyra e policisë së shtetit, por është narkopolicia e pushtetit. Të gjithë këta të veshur me uniformë përfaqësojnë interesat e bandave, sepse drejtuesi i tyre që i ka urdhëruar është emërtesë i krimit të organizuar. Është rast unik në botë që krimi i organizuar emërton drejtuesin e policisë”, tha Noka.
“Surreli do jetë destinacioni dhe nuk do ketë narkopolici që do e mbrojë Surrelin nga revolta qytetare”, u shpreh ai.
Protesta u mbyll pas gati 3 orësh. Në mbyllje Noka falënderoi protestuesit duke theksuar se mosbindja civile ka filluar të japë frytet ndërsa qëndresa do të vazhdojë
“Mosbindja civile do jetë ajo që do i sjellë zgjidhje Shqipërisë dhe shqiptarëve. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kthim pas nuk ka, qëndresa dhe rezistenca do japin frytet e saj”, tha Noka.
Tensione edhe në Elbasan
Protestuesit në Bradashesh, pikë kjo që lidh Elbasanin me Tiranën janë përplasur me Policinë e Shtetit.
Policia u k kërkuar protestusve të lirojnë rrugën për të bërë të mundur qarkullimin e mjeteve, teksa, deputetët e opozitës që po prijnë mbështetësit i kanë kërkuar asaj të mos provokojë.
Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit janë zhvendosur drejt urës së Bradasheshit, pasi qëndruan për më shumë se 2 orë në rrethrrotullimin e Bradasheshit.
Deputeti demokrat, Tomorr Alizoti i bëri thirrje policisë të mos ndërhyrjë dhe të mos prekë protestuesit. “Askush nuk ka frikë më nga burgu”, tha ai.
Ndërsa deputeti Edmond Spaho tha se forcat speciale rrethuan protestuesit, ndërsa punonjësit civilë ishin të dhunshëm ndaj protestuesve. Spaho pretendon se është goditur nga një punonjës policie i veshur civil. /j.p/
Përplasje e protestuesve me policinë, foto: Florian Abazaj 1 nga 13