Përplasje në Kuvend, Peleshi përjashton Bardhin nga seanca, kreu i grupit parlamentar të PD-së nuk del nga salla

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ka vendosur sot të përjashtojë nga seanca plenare kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhin.
Përjashtimi erdhi pas disa paralajmërimeve të dhëna nga Peleshi, ndërsa Bardhi ishte përfshirë në një përplasje gjatë fjalës së një drejtuesi të institucionit të pavarur. Bardhi nuk ka pranuar të dalë nga salla e seancës plenare.
Kryeparlamentari Peleshi, duke iu drejtuar Bardhit, theksoi se po pengohej zhvillimi normal i seancës:
“Ju lutem uluni zoti Bardhi, se po prishni seancën dhe nuk po lejoni drejtuesin e institucionit të pavarur që t’i përgjigjet pyetjeve. Unë nuk kam për ta lejuar që të prishni seancën me pyetje, sepse nuk ma lejon as mua rregullorja. Zoti Bardhi, në bazë të rregullores, iu hiqet e drejta fjalës për gjithë ditën! Për herë të katërt, ju jeni i përjashtuar zoti Bardhi,” deklaroi Peleshi.
Ky vendim nënkupton që deputetit Bardhi i hiqet e drejta e fjalës dhe e pjesëmarrjes në seancën e ditës, bazuar në Rregulloren e Kuvendit.