Përplasje në veri, plagosen 21 ushtarë të KFOR
Zyrtarët e KFOR-it kanë njoftuar se 21 ushtarë kanë pësuar lëndime, ndersa trupat e kësaj force, brenda natës, kanë nisur largimin e një barrikade rrugore në pjesën veriore të Kosovës.
Shefi i zyrës për informim në KFOR, Uve Novicki, tha për Radion Evropa e Lirë se pas largimit të barrikadës në Rudarë, forcat paqeruajtëse kanë reaguar, duke përdorur edhe gazin lotsjellës, për të shpërndarë serbët që synonin ta mbronin barrikadën.
Mbrëmjen e kaluar, pas orës 23:00, KFOR-i me sukses mori nën kontroll bllokadën e vendosur në Rudarë - pa ndonjë incident. Ndërkaq, në mesnatë, numri i protestuesve u shtua; ata sollën edhe tre kamionë dhe avancuan drejt trupave të KFOR-it”.
“Protestuesit përdorën forcën, përfshirë këtu edhe hedhjen e gurëve. Ata i shtynë prapa forcat e KFOR-it, duke i sulmuar ato me kamionë të mbushur me zhavorr, tha Novicki, për të shtuar:
“Forcat e KFOR-it u detyruan të qëllojnë në ajër, si shenjë vërejtjeje. KFOR-i ka përdorur edhe gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës për vetëmbrojtje nga protestuesit që përcillnin kamionët”.
“Për të parandaluar mundësinë e përshkallëzimit të mëtejmë të konfrontimit dhe për të mos rrezikuar palët, KFOR-i mori vendim për ndërprerjen e operacionit. KFOR-i konfirmon se 21 ushtarë kanë pësuar lëndime, tha Novicki.
Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tregoi për aksionin e KFOR-it në veri dhe tha se pas largimit të barrikadës, serbët lokalë kanë vendosur një barrikadë tjetër prej zhavorrit.
Janë vendosur serish kamionë me zhavorr për të bllokuar totalisht rrugën magjistrale Mitrovicë Leposaviq, perkatësisht fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit, tha Hoti.
Aktualisht, sipas autoriteteve të rendit, situata është e qetë.