E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasjet Shqipëri-Kosovë, Eposi i Kreshnikëve mbetet jashtë UNESCO

TIRANE - Mosmarrëveshjet mes specialistëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës mbi Eposin e Kreshnikëve kanë çuar në mbetjen jashtë UNESCO-s. 

Zymer Neziri, iniciatori kosovar i projektit "Eposi i Kreshnikëve", ka pranuar për gazetën "Zëri" në Prishtinë, se ai ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë që të ndalojë projektin. Kjo, për shkak se sipas tij, njëri nga anëtarët e komisionit nga pala e Shqipërisë ka dalë nga konturet e projektit duke bërë që Neziri t'i drejtohet edhe ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë.

Pa u ndjerë aspak fajtor, Neziri ka thënë se nisma ka qenë e tij në vitin 2008, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, për të zgjeruar më pas ekipin edhe me ata të Shqipërisë, duke futur në komision: Shaban Sinanin e Vasil Tolen. "Ky projekt në vitin 2008 ka nisur me qëllim që të realizohet në bashkëpunim mes Prishtinës dhe Tiranës, dhe pas hartimit të tij si projekt i përbashkët të dorëzohet në UNESCO.

Për një zyrtarizim të këtij komisioni, unë kam kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të vërtetohet se është komision qeveritar i Republikës së Kosovës për përpilimin e projektit "Eposi i Kreshnikëve", gjë që edhe është pranuar në vitin 2011", - ka thënë Neziri. Dhe, sipas tij, Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe në vitin 2009 edhe në vitin 2010 i është dorëzuar materiali me nga 100 faqe, që ka përfshirë punën e këtij komisioni.
Mirëpo, projekti që kërkonte 140 mijë euro të premtuara nga MKRS në Kosovë, nuk u dhanë asnjëherë. Vasil Tole, anëtar i komisionit tonë, kishte iniciuar atje projektin tjetër paralel të quajtur "Eposi i kreshnikëve", në kategorinë "në rrezik", ndërsa në atë paraprak që e patëm hartuar ne, ishte në kategorinë "vlerë". 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›