Përse OSBE/ODIHR e përfshin zgjedhjen e presidentit në Shqipëri në axhendën e saj?
Në faqen zyrtare të OSBE/ODIHR, në axhendën e tyre për vitin 2012, përveç të gjitha zgjedhjeve parlamentare e lokale në zonën e OSBE, përfshihet edhe zgjedhja e presidentit në Shqipëri. Duhet theksuar se është e vetmja zgjedhje indirekte, që do monitorohet nga ODIHR. Nuk ka ende asnjë sqarim se përse do monitorohet ky votim. Disa ambasadorë të rëndësishëm në Tiranë kanë shprehur deri më tani idenë e një presidenti konsensual. Ndërkohë në treg kanë dalë disa kandidatura, të propozuara kryesisht nga eksponentë demokristianë.
Deri më tani nuk ka pasur një debat për një ngjashmëri të mënyrës se si votohet në Shqipëri me mënyrën se si është votuar në Kosovë. Edhe atje, ngjashëm me Shqipërinë, presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë, por pasi janë bërë disa votime me shumicë të cilësuar. Bexhet Pacolli u rrëzua si president nga Kushtetuesja, jo sepse nuk mori votat, por për shkak të mungesës së kuorumit në sallë. Kështu lind pyetja, nëse opozita nuk shkon në këtë votim, a do mundej Berisha ta zgjedhë vetë presidentin pa kuorumin për 2/3 e votimit të parë?